Anëtarësimi në BE, Kallas: Mali i Zi dhe Shqipëria, ndër vendet që po avancojnë
Shqipëria dhe Mali i Zi po shihen si dy nga vendet që kanë shënuar përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, në një intervistë për televizionin “France 24”, vlerësoi ecurinë e procesit të zgjerimit, duke theksuar se Mali i Zi mund të jetë vendi i radhës që do të përmbyllë negociatat, ndërsa Shqipëria renditet mes vendeve që po i afrohen anëtarësimit.
Kallas nënvizoi se zgjerimi duhet të vijojë mbi bazën e meritave individuale dhe përmbushjes së kritereve, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit dhe reformat themelore.
“Ne po vijojmë që të bëjmë hapa para me procesin e zgjerimit. Shpresojmë që Mali i Zi ta kalojë vijën e finishit së shpejti. Kemi edhe shtete të tjera të rëndësishme që janë vërtet shumë pranë tij në këtë proces. Kemi Shqipërinë, Moldavinë, Ukrainën, si dhe shtete të tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Procesi i zgjerimit nga njëra anë është i vështirë, por është gjithashtu e rëndësishme që këto shtete të fitojnë qasje në tregun e përbashkët, si dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve. Ky proces duhet të vijoje që të jetë i bazuar në merita individuale. Zgjerimi duhet që të jetë gjithashtu një proces ku ne verifikojmë nëse një shtet kandidat respekton vërtet sundimin e ligjit dhe të gjitha parimet thelbësore që janë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Përndryshe, pasi këto shtete të jenë bërë pjesë e Bashkimit Evropian, zbatimi i reformave bëhet shumë më i vështirë sesa më parë. Mendoj se është e rëndësishme që të zgjerohemi sepse është një vendim gjeopolitik. Ajo që mendoj unë është se, në situatën aktuale të sigurisë, duhet të flasim edhe me qytetarët tanë për vlerat që këto shtete do të na sjellin në familjen evropiane”, tha Kallas.




