Klosi: Qeverisja e Tiranës nuk lidhet me individin, por me programin qeverisës të PS
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se qeverisja e Bashkisë së Tiranës dhe e bashkive të tjera të mëdha nuk lidhet me individin, por me filozofinë dhe programin qeverisës të Partisë Socialiste.
Teksa Klosi u pyet nëse kreditë për strehim social, një pjesë e të cilave janë firmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të sjellin vota për siglën e PS-së apo rrezikojnë të shkojnë drejt një “feste tjetër”, Klosi tha se “PS është filozofia e majtë që ne mbështesim që i ka sjellë një pjesë shumë të madhe të atyre që ka ndodhur në bashki.”
“Pa dyshim do dalë aty si bashkia e Fierit, të gjitha bashkitë e tjera të mëdha… që drejtohen nga Partia Socialiste. Kanë 30 vjet që e dinë çfarë do të thotë të qeverisen nga e majta dhe nga Partia Socialiste… Është Partia Socialiste dhe filozofia e majtë që ne mbështesim që i ka sjellë një pjesë shumë të madhe të atyre që ka ndodhur në bashki,” tha Klosi.
Ai theksoi se është shumë e vështirë që gjërat të lidhen vetëm me individin.
“Në të gjithë gjënë është shumë e vështirë që gjërat lidhen me individin, lidhen me filozofinë edhe me simbolin e Partisë Socialiste, me lidershipin, me Edi Ramën… Të gjithë kanë kuptuar se sa ndryshon kur qeverisen nga Partia Socialiste dhe një administrator publik i PS-së krahasuar me një administrator publik të PD-së apo opozitës”, theksoi ai.
Klosi e lidhi këtë qëndrim edhe me politikën e strehimit social, duke e cilësuar atë si një politikë 100% sociale kombëtare që shkon drejt qytetarëve të thjeshtë, intelektualëve të rinj dhe familjeve të reja, dhe jo si një veprim elektoral.
Duke iu referuar ligjit për banesat sociale ai theksoi se ky është një projekt i diskutuar prej kohësh dhe se protestat e shtresës së mesme kanë shërbyer për ta nxjerrë në plan të parë këtë nevojë.
Sipas Klosit, qytetarët gjykojnë mbi bazën e asaj që përfaqëson forca politike, mbështetjes që ofron dhe filozofisë që ka, duke e bërë të vështirë suksesin e kandidatëve të pavarur në realitetin shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



