Friday / November 13 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Institucione Ndërkombëtare Lajmet Kryesore Nga Vendi Western Balkans Monitor

Shqipëria ka mundësi të diversifikojë bazën e eksporteve, deri në 33 mijë vende të reja pune

Share Share Icon

Intervistë me znj. Angella Faith Montfaucon, Ekonomiste e Lartë e Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, Europën dhe Azinë Qendrore

 

Shqipëria ka mundësi të zgjerojë bazën e eksporteve përtej turizmit dhe industrisë tradicionale të veshjeve e këpucëve, duke krijuar vende pune më produktive dhe me vlerë të shtuar më të lartë.

Aktualisht, udhëtimet përbëjnë rreth 70% të eksporteve të shërbimeve, ndërsa veshjet dhe këpucët zënë 37% të eksporteve të mallrave.

Sipas Angella Faith Montfaucon, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, heqja e kufizimeve në sektorët kryesorë të shërbimeve mund të rrisë PBB-në e vendit me 9.8-11% në periudhën afatmesme dhe të krijojë 33 mijë vende pune.

Ndërsa lehtësimi i barrierave jotarifore për mallrat mund të sjellë rritje shtesë të PBB-së me 8.8% dhe 29 mijë vende të reja pune.

Në një intervistë për “Western Balkans Monitor”, rubrikën e re të revistës me shkrime të fokusuara në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, znj. Montfaucon thekson se sfida nuk është vetëm ruajtja e ritmeve të rritjes ekonomike, por shndërrimi i tyre në një ekonomi më konkurruese, me eksporte të diversifikuara dhe punësim më cilësor.

Kjo kërkon uljen e kostove të tregtisë, përmirësimin e logjistikës, fuqizimin e aftësive profesionale dhe lidhje më të forta me investitorët e huaj.

Këto sfida janë të përbashkëta për Ballkanin Perëndimor, ku ekonomia pritet të rritet me 3.1% në vitin 2026 dhe 3.4% në vitin 2027, e mbështetur kryesisht nga konsumi dhe investimet. Megjithëse tregtia e mallrave dhe shërbimeve arrin në 107% të PBB-së rajonale, vetëm 23-39% e marrëdhënieve të reja të eksportit mbijetojnë përtej vitit të parë.

Sipas Bankës Botërore, integrimi më i thellë ekonomik rajonal, heqja e pengesave jotarifore dhe njohja e ndërsjellë e standardeve mund t’i ndihmojnë bizneset të qëndrojnë më gjatë në tregjet ndërkombëtare dhe të përshpejtojnë afrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Europian.

 

Shqipëria ka rritje të mirë prej disa viteve, mbështetur kryesisht nga turizmi, shërbimet dhe ndërtimi. Si mundet vendi, në këndvështrimin e Bankës Botërore, të zgjerojë modelin e vet të rritjes dhe të zhvillojë një bazë më të gjerë eksporti që krijon vende pune më produktive dhe me më shumë vlerë? 

Pyetja që shtrohet nuk është më vetëm si Shqipëria të krijojë rritje ekonomike, por si ta bëjë këtë rritje më gjithëpërfshirëse, më produktive dhe si të krijojë vende më të mira pune.

Turizmi dhe shërbimet e tjera do të vijojnë të jenë shtysa të rëndësishme ekonomike, por Shqipëria ka mundësi të diversifikojë bazën e eksporteve dhe t’i ndihmojë ndërmarrjet të kalojnë në veprimtari me vlerë më të lartë, duke konkurruar kështu në nivel ndërkombëtar.

Aktualisht, udhëtimi zë rreth 70% të eksportit të shërbimeve, ndërsa këpucët dhe veshjet përfaqësojnë rreth 37% të eksporteve të mallrave për vitin 2025.

Më pak se 10% e ndërmarrjeve që tregtojnë mallra janë të përfshira edhe në import, edhe në eksport, e megjithatë ato prodhojnë rreth 90% të vlerës së eksportit të mallrave. Kjo na thotë se ka ende shumë hapësirë për zgjerimin e bazës së eksportit.

Diversifikim nuk nënkupton të zgjedhësh industrinë e radhës që do të ketë sukses. Do të thotë se duhet të krijohet mjedisi në të cilin bizneset shqiptare mund të bëhen më konkurruese, të rriten, të hyjnë në tregjet e eksportit dhe të qëndrojnë në to.

Kjo do të thotë të pakësosh kufizimet e lidhura me shërbimet kyçe si transporti, financat, shërbimet profesionale dhe TIK-un.

Gjithashtu duhen adresuar masat jotarifore, përmirësimi i logjistikës në porte dhe pikat e kalimit kufitar, si dhe fuqizimi i aftësive, cilësisë së infrastrukturës dhe lidhjet me investitorët e huaj.

Këto reforma mund të sjellin ndryshime të qenësishme. Analiza jonë sugjeron se ulja e kufizimeve për shërbimet kyçe mund të rrisë nivelin e PBB-së me 9.8 deri në 11.0% në periudhën afatmesme, ndërkohë që hapen edhe 33,000 vende pune.

Shqyrtimi i mirëpërcaktuar i masave jotarifore për mallrat mund të rrisë PBB-në me rreth 8.8% dhe të hapë 29,000 vende pune.

Të njëjtat reforma do të rrisnin edhe eksportet me rreth 7% në kuadër të reformës së mallrave dhe 10% në kuadër të reformës së shërbimeve. Investimet do të rriteshin me rreth 10% në kuadër të secilës prej reformave.

Pra, kjo ka të bëjë me përkthimin e rritjes së fortë ekonomike të Shqipërisë në më shumë mundësi për biznes, vende pune më produktive dhe me vlerë të shtuar më të lartë, si dhe në ekonomi më të diversifikuar dhe me aftësi ripërtëritëse.

 

Potenciali

Analiza jonë sugjeron se ulja e kufizimeve për shërbimet kyçe mund të rrisë nivelin e PBB-së me 9.8 deri në 11.0% në periudhën afatmesme, ndërkohë që hapen edhe 33,000 vende pune. Shqyrtimi i mirëpërcaktuar i masave jotarifore për mallrat mund të rrisë PBB-në me rreth 8.8% dhe të hapë 29,000 vende pune. Të njëjtat reforma do të rrisnin edhe eksportet me rreth 7% në kuadër të reformës së mallrave dhe 10% në kuadër të reformës së shërbimeve. Investimet do të rriteshin me rreth 10% në kuadër të secilës prej reformave.

 

Raporti parashikon që rritja në Ballkanin Perëndimor të përmirësohet nga 2.6% në vitin 2025 në 3.1% në vitin 2026 dhe 3.4% në vitin 2027. Çfarë e shtyn këtë përmirësim dhe sa varet kjo nga arritjet e vetë rajonit krahasuar me kushtet e jashtme favorizuese? 

Rritja vjen kryesisht si pasojë e kërkesës së brendshme. Konsumi pritet të shtojë 2.7 deri në 2.8 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike të çdo viti në periudhën 2026-28.

Investimet priten të shtojnë 1.1-1.2 pikë përqindje, mbështetur nga infrastruktura, energjia, turizmi, strehimi dhe projektet e financuara nga BE-ja.

Rritja në vitin 2026 pasqyron edhe rimëkëmbjen më të fuqishme të Serbisë dhe rishikimet në rritje për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në kontrast me këtë, pritet që eksportet neto të zbresin 0.5-0.7 pikë përqindjeje në vit. Rajoni ka treguar aftësi ripërtëritëse. Rritja tani mbështetet më shumë tek eksporti i shërbimeve dhe kërkesa e brendshme dhe më pak tek eksportet e prodhimit.

Si rezultat, industria më e dobët europiane nuk ka pasur ndikim në ekonominë e rajonit. Megjithatë, parashikimet supozojnë edhe kushte më të mira të jashtme: problemet me eksportet e naftës bruto nga vendet e Gjirit pritet të zbuten ndjeshëm gjatë vitit 2027, ndërsa rritja ekonomike në Zonën Euro të përshpejtohet nga 1.0 në 1.3%.

Rajoni ka rritje me rreth 2 pikë më shpejt se BE-ja në vitin 2026, por kjo pasqyron kryesisht rritjen më të dobët të BE-së. Konsumi i mbështetur nga pagat, transfertat, remitancat dhe kreditë, në vetvete, nuk e zgjeron kapacitetin prodhues të ekonomisë.

 

 

Partnerët kryesorë tregtarë të rajonit kanë rritje të dobët, tregjet e energjisë vijojnë të jenë të pasigurta dhe pasiguria gjeopolitike është e madhe. Cilat mendoni se janë risqet më të mëdha në të ardhmen dhe sa i pozicionuar është rajoni të përballet me goditje të tjera? 

Rajoni ka treguar aftësi të konsiderueshme ripërtëritëse, por duhet të jemi gjithashtu të qartë se perspektiva ekonomike mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve të mundshme, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.

Ballkani Perëndimor është i lidhur ngushtë me tregjet europiane dhe botërore, kështu që zhvillimet jashtë rajonit mund të ndikojnë mbi rritjen ekonomike.

Për shembull, rimëkëmbja më e ngadaltë në Europë mund të ndikojë eksportin e mallrave nga Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërkohë që ka ndikim mbi turizmin në Shqipëri dhe Malin e Zi. Zgjatja e konfliktit në Lindjen e Mesme, ose problemet e përsëritura në tregjet europiane të energjisë mund të mbajnë kostot e energjisë në nivele të larta dhe të vonojnë uljen e inflacionit.

Fragmentimi i tregtisë, çmimet më të larta të ushqimeve dhe shtrëngimi i kushteve financiare botërore shtojnë pasiguritë.

Në të njëjtën kohë, rajoni ka mekanizma të rëndësishëm mbrojtës. Bankat kanë nivele të mira kapitali që arrijnë mesatarisht 19.3% të aseteve të ponderuara për risk dhe raportet e huave të këqija janë në nivele të ulëta historike.

Pritet që edhe borxhi publik të jetë më pak i ekspozuar ndaj risqeve të lidhura me valutën dhe normat e interesit, krahasuar me një dhjetëvjeçar më parë. Megjithatë këto elemente nuk duhet të merren si të mirëqenë.

Deficitet fiskale po thellohen dhe deficiti aktual rajonal i llogarive është rritur në 7.1% të PBB-së.

Goditjet e përsëritura mund t’i dobësojnë gradualisht këta faktorë mbrojtës, veçanërisht në ekonomitë me deficite të larta të jashtme ose me nevoja të konsiderueshme për rifinancim.

Krahasuar me të shkuarën, rajoni është në pozicion më të fortë për të përballuar goditjet, por ruajtja e rritjes ekonomike do të varet jo vetëm nga mjedisi më i volitshëm i jashtëm, por edhe nga një menaxhim i mirë fiskal dhe nga vijimi i reformave të vazhdueshme në vend, për të forcuar qëndrueshmërinë dhe kapacitetin prodhues.

 

Çfarë duhet të ndryshojë që rajoni të konvergojë dhe të ngushtojë konsiderueshëm më shpejt hendekun e të ardhurave me BE-në?

Ekonomitë më të zhvilluara të rajonit janë tashmë pranë arritjes së statusit të vendeve me të ardhura të larta. Në vitin 2025, të ardhurat për frymë në Malin e Zi ishin sa 98% e pragut të të ardhurave të larta, ato të Serbisë ishin 94% dhe të Shqipërisë, 84%.

Por ky prag, të ardhurat kombëtare të përgjithshme (GNI) për frymë, është klasifikim i përgjithshëm dhe jo matje e konvergjencës me Europën.

Nëse të njëjtën matje e përdorim për krahasim me mesataren e BE-së, të njëjtat ekonomi janë vetëm në 32, 31 dhe 28% të mesatares së BE-së, përkatësisht. Pa rritje më të fortë të prodhimit, procesi i konvergjencës me mesataren e standardeve të jetesës së BE-së do të zgjasë edhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë.

Konvergjenca më e shpejtë ka nevojë për pesë ndryshime: rritje më të fortë të prodhimit, pjesëmarrje më të lartë në fuqinë punëtore, kapital njerëzor më të fortë, më shumë investime të efektshme dhe integrim më të thellë në segmentet me vlerë më të lartë. Përfitimet e mundshme janë të konsiderueshme.

Një studim i kohëve të fundit i Bankës Botërore vlerëson se nëse shpërndarja joefikase e fuqisë punëtore dhe kapitalit në sektorin e prodhimit do të reduktohej në nivelet e ekonomive të përparuara të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara, produktiviteti mund të ishte pothuajse 40% më i lartë në katër ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, për të cilat ka të dhëna në nivel ndërmarrjesh.

I njëjti studim vlerëson se eksportet e mallrave mund të jenë 35-55% më të larta nëse rajoni tregton në nivelet e pritshme për ekonomi tipike me të ardhura të mesme të larta, me tipare të ngjashme.

Konvergjenca më e shpejtë do të varet nga përkthimi i investimeve, talentit dhe integrimit më të ngushtë me Europën në prodhimtari më të madhe dhe vende më të mira pune.

Konvergjenca më e shpejtë do të varet nga aftësia për t’i shndërruar investimet, talentin dhe integrimin me Europën në produktivitet më të lartë dhe vende pune më të mira.

 

Rritja ekonomike ka qëndrueshmëri më të mirë nga sa pritej, megjithatë rritja e punësimit është ngadalësuar dhe hapja e vendeve të punës është më e ngadaltë. Përse nuk po përkthehet rritja më e madhe në më shumë vende pune dhe çfarë na tregon kjo për tregjet e punës së rajonit? 

Një pjesë shpjegohet nga ndryshimet që po ndodhin në tregjet e punës në rajon. Popullsia në moshë pune po tkurret, popullsia po plaket, ndërsa emigracioni dhe mospërputhja e vazhdueshme e aftësive me nevojat e tregut, tendenca e vazhdueshme e mospërputhjes së aftësive po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për punëdhënësit të gjejnë punonjësit që u nevojiten.

Tashmë, po i vëmë re disa prej këtyre presioneve. Punësimi në rajon ra me 0.1% në gjysmën e parë të vitit 2026, ose rreth 5,000 vende pune më pak se një vit më parë, ndërkohë që rritja e punësimit në ndërtim dhe shërbime nuk arriti të kompensonte humbjet në bujqësi dhe industri.

Papunësia ra në nivelin 10%, por në Serbi dhe Shqipëri, kjo lidhet kryesisht me njerëzit që largohen nga tregu i punës dhe jo me ata që gjejnë punë.

Në të ardhmen, oferta e fuqisë punëtore mund të kthehet në pengesë edhe më të madhe.

Papunësia te të rinjtë vijon të jetë sa dyfishi i normës së përgjithshme në shumicën e ekonomive dhe pa pjesëmarrje më të madhe në tregun e punës apo ulje të emigracionit, brenda pesë viteve, rajonit mund t’i mungojnë më shumë se 190,000 punonjës, ekuivalente me rreth 2.5% të fuqisë së tij punëtore. Simulimet tona për Shqipërinë tregojnë se çfarë mund të arrihet.

Ulja e kostove të tregtisë mund të rrisë pagat reale me rreth 6%, si për punonjësit e kualifikuar, ashtu edhe për ata të pakualifikuar, në periudhën afatmesme.

Pra, sfida nuk është vetëm krijimi i më shumë vendeve të punës, por edhe përfshirja e më shumë njerëzve në tregun e punës, përshtatja më e mirë e aftësive me nevojat e punëdhënësve dhe krijimi i mundësive që ndihmojnë në mbajtjen e fuqisë punëtore në rajon.

 

Pagat reale kanë vijuar të rriten në pjesën më të madhe të rajonit, por rritja e produktivitetit ka mbetur pas duke ushtruar trysni mbi kostot e fuqisë punëtore për njësi. A po kthehet kjo në sfidë konkurrueshmërie për Ballkanin Perëndimor, dhe çfarë duhet të ndodhë që rritja e pagave të mbështetet nga rritja më e madhe e produktivitetit? 

Rritja e pagës është pozitive për punëtorët dhe për standardet e jetesës. Sfida është të sigurohemi që produktiviteti rritet përkrah pagave.

Në gjysmën e parë të vitit 2026, pagat reale u rritën me 7.3% në Serbi dhe 6.3% në Shqipëri, ndjekur nga 4.8% në Kosovë, 4.6% në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe 3.4% në Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, produktiviteti nuk ka arritur të ecë me të njëjtin ritëm në shumicën e ekonomive, ndërkohë që rritja e pagave minimale po i shton këto presione.

Nëse ky hendek vazhdon, ai mund të dobësojë konkurrueshmërinë, të ngushtojë marzhet e fitimit ose të mbajë inflacionin në nivele të larta, veçanërisht në sektorët me intensitet të lartë të fuqisë punëtore.

Zgjidhja nuk janë pagat më të ulëta, por një rritje më e fortë e produktivitetit.

Kjo do të thotë se duhet investuar në mënyrë më efektive në teknologji, aftësi profesionale dhe sektorë që prodhojnë mallra dhe shërbime për tregjet ndërkombëtare, në uljen e kostove të tregtisë dhe të ndihmohen ndërmarrjet të jenë më produktive dhe konkurruese.

Pjesëmarrja më e madhe në fuqinë punëtore, veçanërisht e grave dhe të rinjve, dhe ofrimi i trajnimeve që përputhen më mirë me aftësitë që kërkojnë punëdhënësit, janë gjithashtu elemente me rëndësi. Si përfundim, rritja e pagave është më e qëndrueshme kur mbështetet nga rendimenti më i lartë për punonjës.

 

Tashmë tregtia e mallrave dhe shërbimeve arrin në 107% të PBB-së së Ballkanit Perëndimor, dhe më lart se mesatarja e BE-së. Shumë do ta shihnin këtë si histori suksesi. Çfarë nuk na tregon kjo shifër e rëndësishme? 

Ajo pasqyron pjesërisht tregje të vogla të brendshme dhe qasje pa detyrime doganore në BE. Shifra nuk na tregon sa zgjasin marrëdhëniet e eksportit. Çdo vit, rreth 60% e marrëdhënieve të eksportit janë të reja Por vetëm 23-39% e tyre i mbijetojnë vitit të parë dhe vetëm 1-4% mbushin pesë vjet.

Eksportet neto ngadalësuan rritjen e çdo ekonomie të Ballkanit Perëndimor në vitin 2026. Vlerësimet sugjerojnë edhe se eksporti i mallrave të rajonit mund të jetë 35-55% më i lartë duke arritur nivelet tipike të ekonomive të krahasueshme. Integrimi në zinxhirët botërorë të vlerës është gjithashtu i dobët kur treguesi matet si pjesë e PBB-së.

Kështu, hapi i radhës nuk është vetëm të tregtohet më shumë. Ndërmarrjet duhet të mbështeten që të qëndrojnë më gjatë të tregjet e eksportit, të zhvendosen në veprimtari me vlerë më të lartë dhe të integrohen më thellë në zinxhirët rajonalë dhe botërorë të vlerave.

Shifra kryesore pasqyron volumin e tregtisë, por pyetja kryesore është sa vlerë të qëndrueshme krijon kjo tregti. Raporti tregon se tregtia ka mundësi të kontribuojë më shumë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

 

Tarifat janë relativisht të ulëta, diku te vetëm 6%, por raporti arrin në përfundimin se kostot që fshihen pas tyre janë më të larta. Çfarë ndikimi kanë këto kosto te biznesi? Si shfaqen këto kosto te çmimet që njerëzit paguajnë në dyqan dhe për shërbimet që përdorin? 

Klasifikimi është i qartë. Tarifat janë mesatarisht 6.2%. Masat jotarifore për mallrat si standardet, analizat, inspektimet dhe kërkesat për certifikim u shtojnë detyrimeve një vlerë të barabartë me 10,2%.

Kufizimet për shërbimet që ofrohen përmes një pranie lokale janë të barabarta me 17,3%.

Kufizimet për shërbimet e ofruara përtej kufijve janë të barabarta me 29,3%. Këto janë kosto konkrete për bizneset.

Ndërmarrjet që përdorin lëndë të importuar në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi shpenzojnë 12-14% të vlerës së importit për të përmbushur kërkesat rregullatore. Kjo është sa dyfishi i vlerës së raportuar nga ekonomitë e krahasueshme në BE. Ekspozimi ndaj këtyre kërkesave të importit lidhet edhe me eksportuesit që dalin më shpejt nga tregjet.

Aty ku është arritur ulja e kostove, kanë përfituar si familjet, ashtu edhe bizneset. Për shembull, hyrja e Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave Euro (SEPA) pritet t’u kursejë bizneseve rreth 350 milionë Euro tarifa transfertash në vit.

Simulimet tona për Shqipërinë sugjerojnë se nëse Shqipëria ngushton gjysmën e hendekut me vendin me performancën më të mirë në rajon për kufizimet e tregtisë së shërbimeve, mirëqenia e familjeve mund të rritet deri në 9,9% gjatë periudhës afatmesme.

Përgjysmimi i kostove të masave jotarifore për mallrat mund të rrisë mirëqenien e familjeve me 8,0%. Shumica e përfitimeve të mirëqenies nga reforma e shërbimeve do të vinin nga shërbimet e hotelerisë dhe ushqimit dhe nga tregtia me shumicë e pakicë. Kostot në këta sektorë reflektohen në çmimet e përditshme në të gjithë ekonominë.

 

 

Raporti konstaton se përgjithësisht shoqëritë e Ballkanit Perëndimor hyjnë me sukses në tregjet e eksportit, por kanë vështirësi të qëndrojnë në to. Përse është kaq e vështirë vazhdimësia në eksport dhe çfarë do t’i ndihmonte shoqëritë e vogla të qëndrojnë në tregjet e eksportit? 

Lajmi i mirë është se ndërmarrjet në Shqipëri dhe në mbarë rajonin janë të afta të gjejnë tregje të reja. Të dhënat doganore për pesë ekonomi, përfshirë Shqipërinë, tregojnë se 57-62% e marrëdhënieve të eksportit çdo vit, janë marrëdhënie të reja. Sfida është te qëndrimi në këto tregje.

Vetëm 23-39% e marrëdhënieve të reja i mbijetojnë vitit të parë dhe vetëm 1-4% e tyre arrijnë në vitin e pestë. Ndërmarrjet vijojnë të paguajnë kostot e hyrjes në tregje, pa arritur të krijojnë shkallën e nevojshme të aktivitetit që sjell vende pune më të mira.

Në mbarë rajonin, masat jotarifore (NTM) për mallrat si standardet, kërkesat për testim dhe certifikim kanë kosto në një vlerë të barabartë me 10.2%. Kufizimet për shërbimet kushtojnë edhe më shumë dhe arrijnë në 17.3-29.3%.

Këto shifra janë thuajse tre deri në pesë herë sa tarifa mesatare.

Ndërmarrjet varen nga këto shërbime për inputet e tyre. Këto kosto kanë ndikim te mbijetesa e tyre.

Ndërmarrjet e ekspozuara ndaj NTM-ve për importet e tyre kanë nivel mbijetese 12-17 pikë përqindjeje më të ulët ndërmjet vitit të dytë dhe të katërt të eksportit.

Shumica e ndërmarrjeve (rreth 60-90%) që edhe importojnë, edhe eksportojnë në mbarë rajonin, janë të ekspozuara ndaj këtyre masave, e megjithatë ato gjenerojnë pjesën më të madhe të eksporteve të rajonit.

Të dhënat na tregojnë se çfarë i ndihmon ndërmarrjet të qëndrojnë në treg. Ndërmarrjet që e nisin me vlera më të mëdha eksporti kanë gjasa të mbijetojnë më gjatë. Po ashtu, edhe firmat që shesin produkte të ndryshme në destinacione të ndryshme.

Firmat që edhe importojnë inpute kanë normë mbijetese gjatë vitit të parë prej 37%, krahasuar me 28% për firmat që vetëm eksportojnë.

Qeveritë mund të ndihmojnë duke i bërë procedurat kufitare më të parashikueshme dhe duke ulur kostot e panevojshme të përmbushjes së kërkesave rregullatore. Edhe pagesat më të ulëta kanë rëndësi për ndërmarrjet e vogla. Përmes SEPA-s, kostoja e një transferte biznesi me vlerë 5,000 Euro ra nga rreth 0.7-0.8% në 0.07-0.08%.

 

Nismat rajonale si Tregu i Përbashkët Rajonal synojnë të heqin pengesat dhe të përmirësojnë integrimin ekonomik. Çfarë mund të arrijë bashkëpunimi rajonal që vendet nuk e arrijnë dot individualisht? 

Një pjesë e kësaj agjende është në kontrollin e secilës qeveri. Vendet mund të veprojnë vetë, duke rishikuar për shembull, rregulloret që lidhen me masat jotarifore (NTM-të) dhe kufizimet në tregtinë e shërbimeve, si dhe duke përqendruar reformën e logjistikës te portet dhe pikëkalimet kryesore.

Në mbarë rajonin, në parim shumë prej këtyre reformave mund të zbatohen brenda një periudhe një ose dyvjeçare. Ato përfshijnë inventarin e NTM-ve, krijimin e një komisioni ndërministror për përditësimin e tij, inspektimin e bazuar në risk, certifikatat elektronike dhe shqyrtimin e rregullave për licencim dhe prani vendore për shërbimet.

Disa reforma kanë sukses vetëm nëse fqinjët veprojnë së bashku. Një vend nuk mund të përcaktojë njëanshmërisht vlefshmërinë e certifikatave, rezultatet laboratorike apo statusin e tregtarit të besuar përtej kufijve të vet.

Kjo kërkon njohje të ndërsjellë, si njohjen e operatorëve ekonomikë të autorizuar për të cilën u arrit marrëveshje në tetor të vitit 2024. E njëjta gjë vlen për Korsitë e Gjelbra në të gjitha pikat e kalimit kufitar, transportin rrugor pa nevojë për leje dhe njohjen e kualifikimeve profesionale.

Brezi i ardhshëm i reformave tregtare janë në qendër të vëmendjes së këtij botimi.

Bashkëpunimi rajonal funksionon më mirë krah më krah me reformën vendase dhe integrimin në BE. Këto hapa kanë rëndësi edhe për integrimin rajonal dhe në BE.

Njohja e ndërsjellë me fqinjët dhe njohja nga BE-ja kërkojnë zbatimin e standardeve, inspektimeve dhe sistemeve të akreditimit vendase. Qeveritë që veprojnë të parat mund të shkurtojnë rrugëtimin drejt integrimit rajonal dhe me BE-në.

Po këto masa i përgatisin ato edhe për njohje nga BE-ja, që përthith shumicën e eksporteve të rajonit.

 

Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:

Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

TVSH-ja, thika me dy presa për bujqësinë

Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore synon të lehtësojë çmimet për konsumatorët, por fermerët vendas druhen se mund t...

9 minutes më parë 19 Min Lexim

Buxheti social i Kosovës

Projektbuxheti  i vitit 2027 parasheh rritje të pagave, shtesave për fëmijë dhe pensioneve, ndërsa Qeveria planifikon investime kapitale mbi 1 mili...

12 minutes më parë 13 Min Lexim
Bota /

Përballë borxhit

13 minutes më parë 19 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!