Analisti Flogert Muça, i ftuar në emisionin “Zona e Lirë”, ka komentuar zhvillimet e pritshme në Partinë Socialiste.

Sipas Muçës, fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së dhe nisja e përgatitjeve për fushatën do të jenë në qendër të vëmendjes. Ai tha se Rama pritet të marrë vetë drejtimin e fushatës në Tiranë, duke e cilësuar 9 majin si një referendum për kryeministrin.

Analisti paralajmëroi se mund të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, ku një prej ministreve mund të largohet, ndërsa lëvizjet e tjera mund të jenë thjesht ndryshime formale. Sipas tij, kjo mund të lidhet edhe me protestat.

Muça shtoi se në janar mund të ketë edhe tre lëvizje të tjera në qeveri, pasi disa ministra mund të përfshihen në garën elektorale si kandidatë në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan.

“Fjalimi i Ramës dhe ndezja e motorëve do të jetë epiqendra. Rama, me sa di, do të jetë ai që drejton fushatën në Tiranë. 9 maji do të jetë referendum për Ramën.

Mund të ketë lëvizje në qeveri, një mund të jetë lëvizje domethënëse, të tjerat makijazh. Një nga ministret mund të lëvizë, por mund të lëvizen edhe ministra pa portofol. Studentët mund të presin sërish një kokë politike.

Në janar, tre ministra të tjerë mund të lëvizin. Në Elbasan, Shkodër dhe Tiranë mund të shkojnë kandidatë.

Nesër nuk ka gjyq për rebelët. Ka thjesht ndarje detyrash për referendumin e 9 majit”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb