Gjermania mban gjallë shpresat për një vend në çerekfinalet e Nations League, pasi mposhti Serbinë me rezultatin 3-1 në Beograd. Një fitore me rëndësi të veçantë për skuadrën gjermane, ku protagonist ishte edhe Brajan Gruda, i cili realizoi golin e tij të parë me fanellën e përfaqësueses A.
Gjermania e zgjidhi praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë. Një autogol i Babiç në minutën e tretë i dha avantazhin miqve, ndërsa vetëm 11 minuta më vonë Florian Wirtz dyfishoi shifrat pas një aksioni të nisur nga Havertz. Pjesa e parë u mbyll 2-0.
Me fillimin e fraksionit të dytë, Brajan Gruda realizoi golin e tretë, duke vulosur një mbrëmje të veçantë në karrierën e tij. Serbia reagoi në minutën e 56-të me Babiç, por dy kartonët e kuq të Dragojeviç dhe Zivkoviç e vështirësuan më tej misionin e vendasve. Gjermania shkon në kuotën e 8 pikëve dhe do ta luajë fatin e kualifikimit në përballjen me Holandën.
Ndërkohë, Holanda regjistroi një fitore spektakolare, duke shkatërruar Greqinë me rezultatin 7-0 në Amsterdam. “Tulipanët” dominuan nga fillimi deri në fund, duke mbyllur pjesën e parë me pesë gola.
Summerville dhe Reijnders, me këtë të fundit që realizoi tregolësh, vendosën diktatin holandez, ndërsa Timber kontribuoi gjithashtu në festivalin e golave. Në pjesën e dytë, Timber dhe Malen vulosën shifrat përfundimtare 7-0.
Me këtë sukses, Holanda ngjitet në 11 pikë dhe ruan kreun e Grupit A2, ndërsa Gjermania mbetet në garë për një biletë në çerekfinale.
