Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ofruar mbështetjen e tij për Arsène Wenger-in në një kandidim të mundshëm për presidencën e FIFA-s, ku synimi do të ishte sfidimi i kreut aktual Gianni Infantino.
Sipas gazetës britanike “The Telegraph”, Macron dëshiron të lobojë edhe te liderët e tjerë botërorë për të siguruar mbështetje për ish-trajnerin e Arsenalit. Madje, kreu i shtetit francez raportohet se ka kontaktuar personalisht bashkëkombësin e tij, duke e nxitur të hyjë në garën për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Megjithatë, Wenger ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të kandidojë kundër Infantinos. Sipas informacioneve të publikuara, francezi pritej të vendoste gjatë kësaj jave, ndërsa afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon të mërkurën e ardhshme.
Emri i Wengerit shihet gjithashtu si një prej alternativave që mund të marrë mbështetjen e UEFA-s, e cila është ndër kritikët më të mëdhenj të drejtimit të Infantinos, por deri tani nuk ka prezantuar zyrtarisht një kandidat të sajin.
Për momentin, përveç Infantinos, kandidaturën e ka paraqitur edhe japonezi Kozo Tashima, anëtar i Këshillit të FIFA-s, por ai nuk konsiderohet si një pretendent me shanse reale për t'u zgjedhur.
Infantino është përballur me kritika të forta pas dështimit të projektit për përfshirjen e investitorëve privatë në organizimin e Kupës së Botës. Plani u braktis në gusht, pasi tri konfederata kontinentale e kundërshtuan dhe UEFA kërcënoi me bojkot të kompeticioneve të FIFA-s.
Pavarësisht polemikave, presidenti aktual ka siguruar së fundmi mbështetje nga Afrika, Azia dhe Amerika e Jugut, duke krijuar një pozicion të favorshëm për të fituar një mandat të katërt në zgjedhjet e marsit.
© SYRI.net
Liga e Kombeve, rezultatet e mbrëmjes: Islanda shkëlqen me pesë gola, fitore për Skocinë dhe Andorrën
Dortmundi nuk rinovon kontratën me sponsorin e armëve, vendimi vjen pas protestave të tifozëve
VIDEO/ Holanda deklason Greqinë dhe siguron vendin e parë, 'tërmet 7-ballësh' në mitikun 'Johan Cruijff'Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: