Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në emisionin “Zona e Lirë” u ndal te degradimi i vlerave në shoqëri dhe normalizimi i korrupsionit, duke deklaruar se sot një person i korruptuar nuk përballet më me të njëjtin gjykim shoqëror si dikur.
Sipas tij, shoqëria shqiptare është mësuar me modele të gabuara, ku ndershmëria shihet si dobësi, ndërsa hajdutëria dhe korrupsioni nuk shoqërohen më me të njëjtën ndjenjë turpi. Ai tha se vendosi të angazhohej në politikë pikërisht për të mos qëndruar indiferent përballë asaj që e cilësoi si drejtim të gabuar të vendit.
Lapaj komentoi edhe protestat kundër qeverisë, duke pretenduar se ato kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar që Rama kishte ndërtuar gjatë 13 viteve në pushtet. Sipas tij, qytetarët e kanë nxjerrë kryeministrin “lakuriq para botës”, duke ekspozuar realitetin e situatës në Shqipëri.
Ai u shpreh se, pavarësisht vështirësive aktuale, ekziston ende shpresë për ndryshim.
“Kur i flet një shoqërie të orientuar për dekada në rrugën e gabuar, vlerë është hajdutëria. Kur në fëmijërinë time i thuhej dikujt i korruptuar, ishte turp dhe duhej të ndërronte qytet, sot është ‘danoç’. Një njeri të mirë e quajnë të paaftë. Shoqërisë i janë mësuar modelet e këqija. Unë për këtë kam qenë i ndërgjegjshëm kur i hyra kësaj rruge, por ose do t’i bëjmë sehir gangove që na udhëheqin, ose do t’u bëhemi barrikadë.
Në 11 muaj Rama nuk ka qeverisur asnjë ditë dhe ka menaxhuar krizën. Kishte 13 vite që kishte ndërtuar një imazh ndërkombëtar, që iu shkatërrua në pak muaj nga qytetarët, të cilët e nxorën lakuriq para botës. Sot situata është e vështirë, por ka shpresë”, tha ai.
