Shënim/ ‘Diplomacia’ e pronarit të One Albania, Gellért Zoltán Jászai në Tiranë, paradoksi i Ramës në vitin 2018 dhe “dora serbe”
Nga Shqip.com
Më 5 mars 2025, me dekret të Presidentit të Hungarisë dhe me propozim të Ministrit të Jashtëm Péter Szijjártó, biznesmeni Gellért Zoltán Jászai ishte pajisur me titullin diplomatik “Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë” i Hungarisë për investimet ndërkombëtare.
Në gusht 2026 — ndërsa ish-ministri hungarez i Ekonomisë Márton Nagy largohej nga politika dhe zhvendosej me familjen në Zyrih të Zvicrës, dhe teksa kryeministri i ri Péter Magyar përgatiste rishikimin e një kontrate sekrete qeveritare prej 3.5 miliardë eurosh të nënshkruar me “4iG” pak javë para zgjedhjeve, Jászai zbarkoi me urgjencë në Tiranë. Sipas raportimeve të shtypit financiar hungarez dhe postimeve të vetë Jászait, ai zhvilloi takime private me kryeministrin Edi Rama dhe me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, duke kërkuar kontrata të reja në industrinë shqiptare të mbrojtjes (krahas kontratës prej 54.25 milionë eurosh të nënshkruar në tetor 2026 me Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi).
Kryeministri Edi Rama dhe pronari i “One Albania”, Gellért Zoltán Jászai
Kjo prani nxjerr në pah një paradoks të mprehtë politik e të sigurisë kombëtare në Tiranë.
Më 9 tetor 2018, kryeministri Edi Rama bllokoi publikisht ofertën prej gjashtëdhjetë milionë eurosh të kompanisë shtetërore serbe “Telekom Srbija” për blerjen e “Telekom Albania”, duke deklaruar se telekomunikimet janë sektor strategjik i sigurisë kombëtare.
Mirëpo katër vite më vonë, pasi operatori kaloi në duart e aleatëve të Viktor Orbánit në “4iG”, brenda selisë qendrore të “ONE Albania” në “Square 21” u vendosën fizikisht filialet e grupit të Beogradit “ODM Collections” dhe “VP Legal”, të cilave iu besuan kartelat dhe të dhënat personale të abonentëve shqiptarë.
Ndërkohë, në Këshillin Mbikëqyrës të operatorit në Tiranë kishin shërbyer më parë juristë të lartë vendas, përfshirë themeluesin e studios ligjore “Kalo & Associates”, Përparim Kalo (deri në emërimin e tij si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), i pasuar në mars 2021 nga ortaku drejtues i së njëjtës studio, Aigest Milo.
©Shqip.com
