Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita akuzon Qeverinë për barnat, Vitia arsyeton mungesat me rritjen e kërkesës e dështimin e tenderëve

kuvendi i kosoves

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës sot ka vazhduar punimet e seancës plenare. Në këtë seancë janë miratuar katër marrëveshje ndërkombëtare, tri me Suedinë e një me Belgjikën. Kuvendi ka mbajtur interpelancë me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, për vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike. Të gjitha zhvillimet rreth seancës mund t’i lexoni në këtë tekst

Pushteti s’e voton rezolutën që kërkon masa urgjente për furnizimin e pandërprerë me barna esenciale

11 o. më parë / 13 nën 2026 16:49
Kuvendi i Kosoves

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për miratimin e rezolutës përmes së cilës kërkoheshin masa urgjente për sigurimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët.

Të pranishëm ishin 63 deputetë, prej të cilëve 42 votuan për rezolutën, ndërsa dy abstenuan. Të tjerë nuk morën pjesë në votim.  

Rezoluta ishte propozuar nga deputetja e PDK-së, Sala Jashari. Me të kërkohej nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) që të ndërmerrnin menjëherë të gjitha masat ligjore dhe administrative për të garantuar furnizimin e pandërprerë me barna esenciale, veçanërisht për pacientët onkologjikë, dhe për të parandaluar ndërprerjen e terapive për shkak të mungesës së stokut.

Jashari kishte kërkuar që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, t’i dorëzonte Kuvendit një raport të plotë për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026, ku do të përfshihej lista e barnave onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatja e mungesave, numri i pacientëve të prekur, shkaqet e mungesave dhe statusi i procedurave të prokurimit.

Në rezolutë kërkohej gjithashtu krijimi dhe zbatimi i një mekanizmi të paralajmërimit të hershëm dhe përcaktimi i një stoku minimal sigurues për barnat kritike onkologjike, me përgjegjësi të qarta dhe afate për inicimin e procedurave të furnizimit para se stoku të arrijë nivelin kritik.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë do të duhej të analizonte bazën ligjore dhe financiare për mundësinë e krijimit të një mekanizmi për rimbursimin e shpenzimeve të dokumentuara të pacientëve që janë detyruar të blejnë vetë barna nga lista esenciale për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik.

Propozimi përfshinte edhe evidentimin e përgjegjësive institucionale për dështimet ose vonesat në planifikim, prokurim dhe furnizim me palbociklib, biomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026.

Ndërkaq, SHSKUK-së i kërkohej të vazhdonte dhe standardizonte publikimin e rregullt, të qasshëm dhe të përditësuar të gjendjes së stokut të barnave esenciale në Klinikën e Onkologjisë, përfshirë njoftimet për mungesat e pritshme dhe afatet e parashikuara të furnizimit.

Komisioni parlamentar përgjegjës për shëndetësinë do të duhej të monitoronte zbatimin e rezolutës dhe, brenda 60 ditësh, ta informonte Kuvendin për nivelin e zbatimit të saj.

Kadrijaj-Vitisë: Po mburreni për buxhet më të madh, kjo ju bën edhe më përgjegjës për mungesën e barnave

13 o. më parë / 13 nën 2026 14:05
Time Kadrijaj

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore, duke thënë se trefishimi i buxhetit për shëndetësinë e bën atë edhe më përgjegjës për gjendjen aktuale.

Gjatë interpelancës së sotme, Kadrijaj tha se nuk mund të mburret ministri me rritjen e buxhetit, në një kohë kur pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe vështirësi në marrjen e shërbimeve shëndetësore.

“Ju ministër po mburreni që e keni trefishuar buxhetin, andaj kjo ju bën edhe më përgjegjës se buxheti më i madh e barna nuk ka”, deklaroi Kadrijaj.

Ajo theksoi se shëndetësia nuk duhet të jetë privilegj vetëm për qytetarët që kanë mundësi financiare, por duhet të jetë prioritet për personat që përballen me probleme të rënda shëndetësore dhe kushte të vështira sociale.

Kadrijaj përmendi edhe rastin e qytetares që humbi jetën në mungesë të barnave, për të cilën ka raportuar KOHA rreth dy javë më parë, duke kujtuar deklaratën e saj: “A me jetu, a me ble barna”.
Sipas Kadrijajt, kjo deklaratë duhet t'i prekë të gjithë deputetët, veçanërisht ata që mbajnë përgjegjësi institucionale, pasi qytetarët po detyrohen të përballen me dilemën nëse paratë duhet t'i shpenzojnë për blerjen e barnave apo për ushqim.

Ajo tha se sigurimi i barnave është përgjegjësi e institucioneve përkatëse dhe se pacientët nuk duhet të lihen në mëshirë të mundësive të tyre financiare për të siguruar terapinë e nevojshme.

Kadrijaj kritikoi gjithashtu listat e gjata të pritjes dhe vështirësitë në marrjen e shërbimeve shëndetësore, duke i bërë thirrje ministrit Vitia që të reflektojë për gjendjen me të cilën po përballen qytetarët.

Zemaj akuzon Vitinë për paaftësi e keqpërdorim: Është rritur buxheti, por edhe hajnia

14 o. më parë / 13 nën 2026 13:56 Nga: Valbona Bytyqi
Armend Zemaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se shëndetësia nuk është prioritet i kësaj qeverie. 

Ai ka thënë se prioritet ka qenë rritja e buxhetit për shëndetësi, por edhe siç është shprehur, rritja e hajnisë. 

“Në Kosovë janë rrit listat e pritjes. Përpos që është rrit buxheti për barna është rrit mungesa e barnave, është rrit tenderomania e barnave, është rrit mungesa e materialit shpenzues edhe është rrit papërgjegjësia”, është shprehur Zemaj.

Ai e ka akuzuar Vitinë për paaftësi, keqmenaxhim e keqpërdorim. 

“300 për qind buxhet ma shumë, 300 për qind çmime ma të larta të barnave kundër kancerit”, është shprehur Zemaj. 

Reshitaj me kritika për gjendjen në shëndetësi: S'mund të fshiheni më pas problemeve të trashëguara

14 o. më parë / 13 nën 2026 13:47
Albena Reshitaj

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, ka kritikuar gjendjen në sistemin shëndetësor të Kosovës, duke thënë se Qeveria nuk mund ta masë suksesin përmes objekteve të rinovuara, aparaturave apo konferencave për investime, por përmes shërbimeve që marrin pacientët.

Gjatë interpelancës së sotme me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, për vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike, Reshitaj tha se dobësitë në sistemin shëndetësor shtrihen në të gjitha nivelet, nga qendrat e mjekësisë familjare, te spitalet regjionale e deri te Qendra Klinike Universitare e Kosovës, e cila, sipas saj, vazhdon të jetë e mbingarkuar.

Ajo kritikoi Ministrinë e Shëndetësisë për mungesën e reformave të qëndrueshme, duke përmendur edhe interesimin e ulët të mjekëve për specializimet në mjekësinë familjare.

Deputetja e LDK-së prezantoi edhe të dhëna për listat e pritjes në QKUK, duke thënë se në fund të vitit 2025, vetëm në 16 klinika të këtij institucioni ishin 12 mijë e 19 pacientë në pritje për shërbime shëndetësore.

Ajo ngriti shqetësimin edhe për raportimet e prillit të këtij viti, sipas të cilave pacientëve në QKUK u kërkohej të siguronin vetë materialet e nevojshme për operacione.

“Si është e mundur që pas kaq vitesh pushtet dhe me një buxhet prej 2 miliardë eurosh për shëndetësinë, pacienti ende detyrohet të blejë vetë materialet për operacion në spitalin publik?”, u shpreh Reshitaj.

Kritika ajo kushtoi edhe për mungesën e barnave në Klinikën e Onkologjisë, duke thënë se edhe gjatë këtij viti janë dokumentuar mungesa të terapive kundër kancerit.

Duke iu drejtuar ministrit Vitia, Reshitaj tha se bëhet fjalë për barna jetike dhe jo për porosi të zakonshme, duke theksuar se vonesat prej shtatë deri në nëntë javësh për pacientët me kancer mund të jenë vendimtare për jetën e tyre.

“Nuk po flasim për porosi të ëmbëlsirave, po flasim për porosi të ilaçeve, barnave jetike për qytetarët e Kosovës, sepse 7-9 javë për një pacient me kancer nuk janë thjesht vonesë administrative, mund të jenë javë vendimtare për jetën e tyre”, deklaroi ajo.

Reshitaj kritikoi edhe menaxhimin e buxhetit të shëndetësisë, duke thënë se gjatë pesë vjetëve të fundit janë ndarë rreth dy miliardë euro për këtë sektor. 

Sipas saj, pas rreth shtatë vjetësh në pushtet, Qeveria nuk mund të vazhdojë t'i arsyetojë problemet me gjendjen e trashëguar nga qeverisjet e mëparshme.

Ajo ngriti edhe çështjen e tenderëve njëburimorë në Ministrinë e Shëndetësisë, duke iu referuar të dhënave sipas të cilave, për katër vjet, ministria kishte dhënë 150 tenderë të tillë, në vlerë prej 75 milionë eurosh, për një kompani të vetme.

Reshitaj përmendi edhe largimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova dhe mungesën e mundësive të punësimit për ta.

Duke iu referuar të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, ajo tha se 540 mjekë figurojnë pa punë, prej tyre 91 specialistë.

Reshitaj përmendi gjithashtu se 72 për qind e infermierëve dhe 34 për qind e mjekëve po e konsiderojnë emigrimin nga Kosova si mundësi për të ardhmen e tyre.

Ajo tha se, ndonëse Qeveria flet për profesionistë shëndetësorë që po kthehen në vend, të dhënat e paraqitura dëshmojnë, sipas saj, se tendenca e largimit vazhdon të jetë shqetësuese.

Ismaili: Realiteti tregon që ka pacientë që nuk i kanë marrë ilaçe që është dashur t’i marrin

14 o. më parë / 13 nën 2026 13:14
Uran Ismaili

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Uran Ismaili, në interpelancën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se sukseset në sektorin e shëndetësisë mund të jenë reale por se realiteti tregon që ka pacientë që nuk i kanë marrë ilaçe që është dashur t’i marrin. 

Ai ka thënë se shërbimet shëndetësore janë të vetmet që kur një qytetarë në Kosovë përballet me to, rrezikon të kalojë në varfëri. 

“Shërbimet shëndetësore janë të vetmet shërbime që kur familjet përballen me to rrezikojnë të kalojnë në varfëri, kostoja është aq e madhe”, është shprehur Ismaili.

Ai ka thënë se mendon që ata pacientë e meritojnë trajtimin real të gjendjes. 

“Unë nuk po them që nuk ka asnjë sukses por do të doja që ky Kuvend ta kuptojë drejt gjendjen e furnizimit dhe ta kuptojë drejt përgjegjësinë individuale në furnizim, për pacientë që nuk i takojnë një partie, u takojnë pacientëve të Republikës”, është shprehur Ismaili. 

Ai ka thënë se nëse diskutimi zhvillohet me ngjyrë partiake se kush çfarë ka barë, atëherë humb thelbi i problemit që sipas tij, është furnizimi me barna. 

“Jeni duke e krijuar një situatë të re, ku harrohet çfarë është duke ndodhur me dhimbjen e pacientëve dhe familjeve, dhe ne merremi me njëri-tjetrin në këtë vazhdën e konfliktit partiak e politik dhe në fund pacientët mbesin me kërkesën më të madhe për ilaçe”, është shprehur Isamili. 

Meholli i VV-së përmend “sukseset e shumta” të Qeverisë në shëndetësi, kundërshtohet nga opozita

15 o. më parë / 13 nën 2026 13:00
Sylejman Meholli

Photo: Driton Paçarada

Në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në interpelancën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, deputeti Sylejman Meholli, në fjalimin e tij ka thënë se do t’i përmend sukseset që ka shënuar Qeveria në sektorin e shëndetësisë, meqë sipas tij ministri nuk i ka mjaftuar koha për t’i përmendur. 

Por në kohën kur ka qenë duke folur atij i kanë deputetët e opozitës.  

“Nëse ndonjë kolegë e ka problem t’i përballojë sukseset e Qeverisë, unë ia bëj me të lehtë, të dalë në byfe të qetësohet e të kthehet përsëri në debat”, është shprehur Meholli.

Vitia arsyeton mungesën e barnave në Onkologji, përmend tenderë e thotë se pati rritje të kërkesës

15 o. më parë / 13 nën 2026 12:58
Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë interpelancës për vdekjen e pacientes me kancer dhe mungesën e barnave në Klinikën e Onkologjisë, e ka pranuar se gjatë muajve korrik dhe gusht në Klinikën e Onkologjisë kishte pasur mungesë të Palbociclibit. 

Duke folur për mungesën e Palbociclibit, ministri shpjegoi se ky medikament ishte përfshirë për herë të parë në Listën Esenciale të Barnave në vitin 2025 dhe se planifikimi fillestar i furnizimit ishte bërë për 40 pacientë, bazuar në kërkesat e Klinikës së Onkologjisë në atë kohë.

Sipas tij, kërkesa për këtë medikament ishte dyfishuar pasi edhe pacientët që më parë e siguronin atë privatisht kishin filluar ta kërkonin përmes Klinikës së Onkologjisë, pas përfshirjes në Listën Esenciale.

Vitia tha se, si pasojë e rritjes së kërkesave, kontrata ishte shpenzuar në masën 130 për qind brenda vetëm nëntë muajve, ndërsa hapja e procedurës së re të prokurimit nuk kishte qenë e mundur pa miratimin e buxhetit.

Ai bëri të ditur se procedura e parë e tenderimit ka dështuar për shkak se nuk kishte pasur asnjë ofertues. Pas kësaj, ishte hapur një tender i ri me procedurë të përshpejtuar, ndërsa kontrata ishte lidhur më 30 korrik 2026. Furnizimi në Barnatoren Qendrore kishte filluar më 18 gusht.

Gjatë interpelancës, Vitia foli edhe për mungesat e tjera të barnave në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2026, duke pranuar se furnizimi nuk kishte qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ai, mungesa e Palbociclibit kishte prekur 70 pacientë dhe kishte zgjatur pak më pak se nëntë javë. Për shkak të kësaj mungese, në klinikë kishin qenë dy cikle pa mundësi të sigurimit të trajtimit.

Mungesa e Bevacizumabit, i njohur edhe si Avastin, kishte prekur po ashtu 70 pacientë dhe kishte zgjatur rreth 13 javë. Ndërkaq, mungesa e Dabrafenibit kishte prekur 12 pacientë dhe kishte zgjatur 20 javë, ajo e Bicalutamide rreth 70 pacientë për 12 javë, ndërsa mungesa e Sorafenibit kishte prekur 14 pacientë.

Si shkaqe të mungesave, ministri përmendi mungesën e autorizimeve të marketingut për disa barna, vonesat në procedurat e furnizimit, si dhe vështirësitë procedurale dhe organizative.

Ai bëri të ditur gjithashtu se, pas një auditimi të brendshëm të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë, ishin evidentuar raste të vonesave ku zyrtarët përgjegjës mund të kishin reaguar më herët, për çka ishin iniciuar procedura disiplinore.

Vitia theksoi se mungesa e miratimit të buxhetit e kishte bërë vitin 2026 veçanërisht sfidues për furnizimin me barna, por shtoi se tashmë janë ndërmarrë masa për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm.

Sipas tij, për shumicën e produkteve që më herët kishin pasur probleme me furnizim janë nënshkruar kontrata afatgjata dhe ka filluar procesi i liferimit.

Ai ka raportuar edhe për kronologjinë e trajtimit të pacientes që mbeti katër muaj pa terapi, duke thënë se ajo kishte pasur sëmundje malinje me ecuri agresive dhe se, pavarësisht trajtimeve të aplikuara, sëmundja kishte vazhduar të përparonte deri në vdekjen e saj.

Sipas ministrit, në dhjetor të vitit 2025 sëmundja ishte rikthyer, me paraqitjen e metastazave edhe në eshtra. Pas rivlerësimit histopatologjik dhe të receptorëve hormonalë, ishte konstatuar ndryshim i statusit hormonal të sëmundjes, nga çka konsiliumi i Klinikës së Onkologjisë kishte përcaktuar linjën e re terapeutike me barnat Palbociclib dhe Fulvestrant.

Vitia bëri të ditur se gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026 ishte evidentuar përhapja e sëmundjes edhe në regjionin e pleksusit brakial, për çka pacientja i ishte nënshtruar edhe radioterapisë për kontrollin lokal të sëmundjes dhe lehtësimin e simptomave.

Sipas tij, më 13 maj pacientes i ishte siguruar sasi e këtij bari për vazhdimin e trajtimit deri më 13 qershor, ndërsa gjatë periudhës së mungesës në klinikë, pacientja kishte siguruar vetë privatisht dy pako të medikamentit, kurse Fulvestrantin e kishte marrë nga klinika.

Ministri tha se nga 18 gushti trajtimi i kombinuar me Palbociclib dhe Fulvestrant kishte vazhduar dhe se, sipas evidencës së Klinikës së Onkologjisë, nga kjo datë të dy medikamentet kishin qenë në dispozicion për trajtimin e pacientes.

Megjithatë, pavarësisht trajtimit sistemik dhe lokal, sëmundja ka vazhduar të përparojë, me paraqitjen e metastazave në tru dhe përfshirjen e boshtit kurrizor. Në fillim të shtatorit, konsiliumi mjekësor kishte vendosur ndryshimin e linjës terapeutike, duke filluar trajtimin me Capecitabine dhe radioterapinë paliative në tru.

“Fatkeqësisht, për shkak të stadit shumë të avancuar dhe gjendjes së përgjithshme të pacientes, trajtimi i ri nuk arriti t’i japë përfitimin e synuar dhe pacientja ndërroi jetë”, deklaroi Vitia.

Jashari: Nga viti 2021 ka mungesë të barnave esenciale, mungesat vazhdojnë edhe sot

15 o. më parë / 13 nën 2026 12:17 Nga: Valbona Bytyqi
Sala jashari

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, në emër të deputetëve që e kanë thirrur në interpelancë ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike, ka thënë se këtë interpelancë e kanë iniciuar pas ankesave të shumta të pacientëve për mungesë të barnave, veçanërisht të atyre për trajtimin e kancerit. 

Ajo ka thënë se asnjë familje nuk duhet të detyrohet të hyjë në borxhe apo të shesë pasurinë për të siguruar një bar që shteti e ka për obligim të ia sigurojë. 

“Në tetor KOHA raportoi duke iu referuar organizatës Renesansa për vdekjen e një pacienteje me kancer të gjirit. Sipas raportimit për katër muaj ajo kishte mbetur pa barin palbociclib sepse bari mungonte në Onkologji dhe ajo nuk kishte mundësi ta blinte sepse kostoja arrinte deri në 1800 euro”, ka theksuar Jashari. 

Ajo ka thënë se nuk u takon atyre që të përcaktojnë shkakun e vdekjes, por se duan përgjigje se pse kjo paciente ka mbetur pa terapi për katër muaj dhe çfarë zgjidhej ju ka ofruar asaj.

Ajo ka thënë se debati po zhvillohet në kohën kur e kanë në shqyrtim edhe buxhetin e shtetit. 

“Duam të dërgojmë një mesazh të qartë, shëndetësia, trajtimi i pacientëve me kancer, sigurimi i barnave esenciale dhe përmirësimi i kushteve në institucionet shëndetësore, duhet të jenë prioritete reale buxhetore e jo vetëm premtime në letër”, është shprehur Jashari. 

Ajo ka thënë se është jashtëzakonisht e dhimbshme që përveç betejës me sëmundjen, qytetarët detyrohen të përballen edhe me një betejë tjetër, atë për sigurimin e barnave.  

Jashari ka thënë se problemi i mungesës së barnave nuk ka filluar këtë muaj. “Në fakt është duke u përsëritur prej vitesh ... prej vitit 2021 ju keni mungesë të barnave esenciale”, ka theksuar Jashari.

Ajo ka thënë se edhe tani në vitin 202 ka mungesa, teksa kë përmendur disa barna që sipas saj janë duke munguar edhe sot në Klinikën e Onkologjisë si dhe në institucionet e tjera shëndetësore. 

“Milionat e buxhetit duhet të shndërrohen në barna në duart e pacientëve”, është shprehur Jashari. 

Ajo ka thënë se Qeveria Kurti ka premtuar që askush nuk do të falimentojë për shkak të sëmundjes dhe se askush nuk do të vdes nga mungesa e kujdesit apo barnave. 

Jashari ka thënë se ky premtim duhet të matet me pacientët që presin për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe thirrjet për ndihmë nëpër rrjetet sociale për pacientë të sëmurë.  

“Kjo interpelancë duhet të sjellë masa konkrete, afate të qarta dhe përgjegjësi institucionale, qytetari duhet të shohë rezultatin kur të paraqitet për terapinë e radhës dhe jo të dëgjojë vetëm deklarata”, ka theksuar Jashari. 

Kuvendi ratifikon 4 marrëveshje ndërkombëtare, tri me Suedinë e një me Belgjikën

16 o. më parë / 13 nën 2026 11:39 Nga: Valbona Bytyqi
Kuvendi i Kosoves - 13 nentor, 2026

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës që po mbahet të premten ka ratifikuar katër marrëveshje ndërkombëtare. 

Ato kanë marrë përkrahjen e shumicës së deputetëve. 

Kuvendi ka miratuar tri marrëveshje me Suedinë, atë për ekstradim, marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar dhe atë për ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale. 

Gjithashtu është ratifikuar edhe traktati për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.

Kuvendi i Kosovës gjithashtu ka miratuar edhe propozim-programin e punës së Kuvendit për sesionin vjeshtor 2026. 

Kuvendi sot vazhdon seancën, në rend dite edhe Ligji për Specialen

19 o. më parë / 13 nën 2026 08:15
Seanca e Kuvendit nis me solidarizim me gratë me kancer të gjirit

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi sot në orën 11:00 pritet të vazhdojë seancën e nisur dje. 

Në rend dite si pikë e fundit është edhe Ligji për Specialen. 

Kuvendi të enjten e ka përfshirë në rend dite shqyrtimin e Projektligjit që ia kufizon mandatin Gjykatës Speciale, pas kërkesës së Partisë Demokratike (PDK) që të rrëzohet vetoja e presidentes Justina Shiroka-Pula dhe të hyjë në fuqi versioni i miratuar nga deputetët në dy lexime.

Presidentja e pati kthyer ligjin në Kuvend pikërisht me kërkesën e PDK-së që të bëheshin disa ndryshime në të. Por, ky subjekt politik sërish është bërë “pishman” dhe ka kërkuar që përmbajtja e njëjtë e ligjit të miratohet dhe, pas hyrjes në fuqi të ligjit, ai t’i nënshtrohet amandamentimit.

Në seancën e së enjtes, nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, e cila është ushtruese e detyrës së kryetares së PDK-së, në emër të Grupit Parlamentar të kësaj partie, ka paraqitur mocion procedural për ndryshimin e rendit të ditës, me propozimin që në të përfshihej edhe shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. 

Në Komisioni për Legjislacion ku është shqyrtuar kjo çështje para se të futje në rend dite në seancë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, në Komision ka thënë se partia së cilës i takon është për opsionin që, vetoja e presidentes të mos rrëzohet dhe hartimi i ligjit të nisë nga e para. Por, ka theksuar se do të jetë në dorë të Kuvendit të vendosë për këtë çështje.

Pasi është futur në rend dite Ligji për Specialen, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ngritur shqetësimin për votimin e mundshëm të tij. 

Në një njoftim në Facebook, BE-ja ka thënë se ndryshimet në ligj ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Ndryshimet ngrisin shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrisin shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre”, thuhet në njoftim.

Seanca e së enjtes u ndërpre në mungesë të kuorumit të nevojshëm për vazhdimin e punimeve, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ndërpreu seancën plenare.

“Seanca i vazhdon punimet nesër në orën 11:00. Nuk është serioze që edhe 30 minuta pas orës 14:00 deputetët nuk po vijnë. Unë nuk kam mundësi të funksionoj e të pres deri në pafundësi”, ka thënë Haxhiu.

Pikat e tjera që kanë mbetur pa u shqyrtuar në seancën e së enjtes janë katër marrëveshje ndërkombëtare, propozim-programi i punës së Kuvendit për sesionin vjeshtor 2026, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesa e barnave onkologjike e mocion përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.