Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dha miratimin për marrëveshjen me Republikën e Shqipërisë, e cila parashikon ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe kryerjen e kontrolleve të koordinuara në pesë vendkalime mes dy shteteve.
Përmes aplikimit të modelit One Stop Shop synohet që qytetarët dhe mallrat të lëvizin më lehtë, të reduktohen radhët në kufi dhe të shmangen kontrollet e përsëritura.
Të lidhura
None found
Gjatë shqyrtimit të propozimligjit, deputetja e VLEN-it, Imerlie Saliu, solli si shembull marrëveshjen me Republikën e Kosovës, ku sistemi i kontrolleve të përbashkëta tashmë është vënë në funksion dhe rezultatet janë të matshme.
Sipas saj, zbatimi i këtij mekanizmi me Kosovën ka sjellë ulje të ndjeshme të kohës së pritjes, pakësim të ngarkesës në kufi dhe rritje të qarkullimit me 50 për qind, krahasuar me vitin e fundit para aplikimit të sistemit.
Në këtë kuadër u përmend edhe Qafë Thana, ku One Stop Shop tashmë është funksional. Marrëveshja e re pritet të mundësojë zgjerimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të kontrolleve të përbashkëta.
VLEN e konsideron këtë nismë pjesë të drejtimit strategjik për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kosovën. Në të njëjtën linjë përfshihen edhe projekte si Korridori 8, rruga Shkup–Bllacë, aksi Tetovë–Prizren dhe interkonjeksionet energjetike.
“Lidhjet me Shqipërinë dhe Kosovën janë pjesë e orientimit tonë strategjik dhe këtë orientim e dëshmojmë me vepra konkrete, jo me parulla boshe”, u deklarua gjatë fjalimit në Kuvend.




