Valbona Zhupa zgjidhet në Bordin e Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Valbona Zhupa është zgjedhur anëtare e Bordit të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), duke i dhënë Shqipërisë një rol të drejtpërdrejtë në strukturën drejtuese të një prej organizatave kryesore të bashkëpunimit mes agjencive të lajmeve në Evropë.

Zgjedhja u bë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të EANA-s, të zhvilluar më 13 nëntor në Larnaka të Qipros, në një vit të veçantë për organizatën, e cila shënon 70-vjetorin e themelimit.

Përfshirja e ATSH-së në këtë strukturë vjen në një kohë kur agjencitë e lajmeve përballen me ndryshime të mëdha në industrinë mediatike, nga zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe mbrojtja e të drejtave të autorit, deri te sfidat e besueshmërisë dhe të informimit në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.

Gjatë prezantimit të kandidaturës, Zhupa paraqiti si prioritete zgjerimin e bashkëpunimit të EANA-s me agjenci lajmesh edhe jashtë Bashkimit Evropian, krijimin e lidhjeve më të drejtpërdrejta mes redaksive, si dhe nxitjen e shkëmbimit të përvojave dhe projekteve të përbashkëta mes agjencive anëtare.

Asambleja e Përgjithshme u zhvillua pas konferencës “News Agencies and Geopolitics”, ku drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve diskutuan mbi ndikimin e zhvillimeve gjeopolitike në punën e agjencive dhe rolin e tyre në garantimin e informacionit të besueshëm.

Në agjendën e Asamblesë ishin gjithashtu raporti vjetor i organizatës, buxheti për periudhën 2026–2027, anëtarësimet e reja dhe çështje që lidhen me të ardhmen e bashkëpunimit mes agjencive.

Për vitin 2027, Prishtina është përcaktuar si vend pritës i aktivitetit pranveror të EANA-s, ndërsa Zvicra do të presë takimin e vjeshtës.

E themeluar në vitin 1956, EANA bashkon agjenci lajmesh nga vende të ndryshme evropiane dhe shërben si një platformë për bashkëpunimin profesional, shkëmbimin e informacionit dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të agjencive të lajmeve.

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri