Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dërguar një mesazh personal anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, përmes të cilit u ka përcjellë fjalimin e tij ku kërkon shqyrtimin e përgjegjësisë politike të Edi Ramës dhe aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të partisë.
Në fjalimin e titulluar “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, të mbajtur nga burgu i Fierit, ku ndodhet prej 21 muajsh, Veliaj kritikon mënyrën e drejtimit të PS-së, duke pretenduar se vendimmarrja është përqendruar në duart e një apo dy individëve, ndërsa organet kolegjiale dhe hapësira për mendimin ndryshe janë dobësuar.
“Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes”, shkruan Veliaj, duke bërë një krahasim mes mënyrës se si funksiononte partia në të kaluarën dhe gjendjes aktuale, siç e përshkruan ai.
Ai rendit një sërë kritikash për zhvillimet brenda PS-së, nga përzgjedhja e ministrave dhe kandidatëve për deputetë, te roli i Asamblesë Kombëtare, Kryesisë dhe Grupit Parlamentar. Sipas Veliajt, këto struktura duhet të kenë një rol real në diskutimin dhe vlerësimin e drejtimit politik të qeverisjes, në vend që thjesht të njihen me vendime të marra më parë.
Veliaj thekson se kompetencat kushtetuese të kryeministrit për formimin e qeverisë nuk e përjashtojnë përgjegjësinë e tij politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur. Ai kritikon gjithashtu mënyrën e funksionimit të Grupit Parlamentar, duke ngritur pikëpyetje mbi pavarësinë e deputetëve dhe mundësinë e tyre për të shprehur mendime të ndryshme pa presion politik.
Një pjesë të fjalimit ia kushton edhe marrëdhënies mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Veliaj pretendon se ndërhyrjet e kryeministrit në administratën e Bashkisë së Tiranës kanë synuar dobësimin e ndikimit të tij politik dhe largimin e bashkëpunëtorëve. Ai rikthen në vëmendje shkarkimin e tij nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, të cilin Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi më 3 nëntor 2025.
Kryebashkiaku përsërit edhe pretendimet për kërcënime që, sipas tij, i janë përcjellë nga ministri i Drejtësisë në emër të Edi Ramës, pas transferimit nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Veliaj thotë se i është kërkuar të japë dorëheqjen nga mandati në këmbim të mosrëndimit të pozitës së tij penale dhe të kushteve të paraburgimit. Ai pretendon gjithashtu se i është penguar marrja e kujdesit të nevojshëm mjekësor. Për këto çështje, kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar pretendimet dhe për t’i bërë ato transparente për publikun.
Në vlerësimin e Veliajt, përgjegjësia kryesore politike për modelin aktual të drejtimit të Partisë Socialiste i takon Edi Ramës, i cili, sipas tij, ka dobësuar demokracinë e brendshme dhe mekanizmat e kontrollit brenda partisë.
“Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj”, shprehet Veliaj.
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit, ai kërkon që Asambleja Kombëtare të shqyrtojë formalisht përgjegjësinë politike të kryetarit të PS-së dhe të ndërmarrë hapat për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit. Sipas tij, procesi duhet të zhvillohet përmes debatit të hapur, respektimit të mendimit ndryshe dhe zbatimit të rregullave të statutit.
“Besimi ndaj kryetarit të partisë nuk mund të konsiderohet i pakufizuar vetëm sepse ai ka drejtuar fitore të rëndësishme elektorale”, shkruan Veliaj, duke theksuar se asnjë drejtues nuk është i pazëvendësueshëm.
“Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerëzit e tij”, përfundon fjalimin e tij.