Borussia Dortmund me një nismë të pazakontë për futbollin modern, duke iu kërkuar tifozëve të mos përdorin telefonat celularë gjatë ndeshjeve.
Para takimit me Eintracht Frankfurt, Dortmundi nisi një projekt që shpërblente tifozët për mospërdorimin e telefonave në stadiumin “Westfalenstadion”, me kapacitet 82 mijë vende.
Përmes aktivizimit të funksionit “Fan Mode” në aplikacionin e klubit, tifozët grumbullonin pikë dhe mund të fitonin çmime, përfshirë fanella me autografë e kupona për dyqanin e klubit.
Nisma është pritur pozitivisht në Gjermani, ku përvoja e ndjekjes së ndeshjeve në stadium, ende konsiderohet traditë e rëndësishme për miliona tifozë.
Reagime shumë pozitive nga tifozët
Rregullat e veçanta të qeverisjes së futbollit gjerman, që kufizojnë investimet e jashtme dhe kërkojnë që klubet të jenë në pronësi të anëtarëve të tyre, kanë ndihmuar në ruajtjen e atmosferës tradicionale në stadiume. Përfshirja e tifozëve në vendimmarrjen e klubeve e bën “përparësi” ruajtjen e kësaj përvoje .
Borussia Dortmund nuk është klubi i vetëm që po përpiqet të kufizojë përdorimin e telefonave gjatë ndeshjeve. Edhe Hertha Berlin e Dynamo Dresden, dy skuadra të kategorisë së dytë, po zbatojnë masa të ngjashme këtë sezon.
Nismat e tyre synojnë të frenojnë prirjen në rritje të influencerave për të filmuar dhe fituar para nga përmbajtjet e krijuara në stadiume, si edhe të ruajnë atmosferën autentike të ndeshjeve.
Të bërtasësh dhe të transmetosh
Nisma pritet të zgjerohet, duke pasur parasysh reagimet shumë pozitive të tifozëve të Dortmundit. Por, Bayern Munich ka rezerva. Anëtari i bordit, Rouven Kasper, komentoi me humor:
Futbolli te Bayern-i është kaq emocionues, sa nuk kemi nevojë t’i ndalojmë telefonat.