Për herë të parë në një takim trepalësh, Trump, Putin dhe Xi Jinping pritet të diskutojnë për armët bërthamore Reshjet e dendura të shiut vijojnë të shkaktojnë probleme në disa zona të Italisë, veçanërisht në rajonin e Toskanës. Një rrëshqitje masive dheu ka ndodhur përgjatë rrugës Via di Calabbiana, në zonën kodrinore të Pistoias, duke bllokuar kalimin dhe izoluar rreth 50 persona, si dhe dy komunitete sociale.
Pas inspektimit në terren, kryetari i bashkisë, Giovanni Capecchi, bëri të ditur se bëhet fjalë për një rrëshqitje me përmasa të mëdha. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje apo banesa të prekura.
“Rreth 50 persona dhe dy komunitete sociale kanë mbetur të izoluara. Po shqyrtojmë zgjidhjet për të menaxhuar emergjencën. Problemi më shqetësues është garantimi i asistencës shëndetësore”, deklaroi Capecchi.
Ndërkohë, policia bashkiake po mbledh emrat dhe kontaktet e banorëve të izoluar, me qëllim monitorimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës për ata që kanë nevojë.
Prioritet për autoritetet lokale është rikthimi i qarkullimit dhe identifikimi i rrugëve alternative për të lidhur zonën e izoluar me pjesën tjetër të territorit. Vëmendje e veçantë po u kushtohet personave në kushte të vështira dhe atyre që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme.
Në terren kanë qenë gjithashtu përfaqësues të bashkisë, shërbimeve teknike, Mbrojtjes Civile dhe policisë lokale. Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Top Channel