Një ndërprerje e papritur dhe e njëkohshme e sistemeve të navigimit satelitor preku rreth 80 avionë që fluturonin mbi Europën Veriore më 9 nëntor, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë e trafikut ajror dhe ngritur dyshime për një ndërhyrje të jashtme.
Sipas të dhënave të publikuara nga portali i specializuar GPSWise e të analizuara nga platforma e monitorimit të trafikut ajror Hexbird, për 19 minuta, nga ora 18:08 deri më 18:27, dhjetëra avionë civilë dhe privatë humbën plotësisht sinjalin GPS.
Fenomeni u regjistrua në një hapësirë të gjerë ajrore, që përfshinte qiellin mbi Holandë, pjesën jugore të Detit të Veriut, Anglinë lindore dhe Gjermaninë veriperëndimore.
Alarmi u bë fillimisht publik nga GPSWise dhe më pas u shpërnda në rrjetet sociale nga eksperti i gjurmimit të avionëve, i njohur me emrin “auonsson”, në platformën Bluesky.
Analiza e të dhënave zbuloi një anomali të pazakontë në sinjalet e navigimit dhe monitorimit ajror, që sipas ekspertëve të cituar në raportim, mund të jetë shkaktuar nga një burim i jashtëm ndërhyrjeje.
Veçanërisht shqetësues fakti se ndërprerja ndodhi njëkohësisht në një zonë shumë të gjerë dhe preku dhjetëra mjete fluturues.
Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi autorësinë apo burimin e ndërhyrjes, ndërsa episodi rikthen në vëmendje rrezikun që paraqesin ndërhyrjet në sistemet GPS për sigurinë e aviacionit civil.