Kallas paralajmëron Europën: Rusia po vendos kurthe në negociatat për Ukrainën

Botë | 4 minuta më parë

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar udhëheqësit europianë që të mos bien në atë që e cilësoi si “kurthe” të Rusisë gjatë negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Sipas saj, Moska po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga agresioni kundër Ukrainës, duke rikthyer në tryezë diskutimet për një ristrukturim të sigurisë europiane. Kallas theksoi se duhet të ruhet qartësia mbi përgjegjësinë për luftën në Ukrainë.

“Kemi një agresor dhe një viktimë, dhe agresori nuk ka shqetësime për sigurinë. Askush nuk i ka sulmuar ndonjëherë. Ata kanë sulmuar të tjerët. Dua të them, mbani fokusin”, deklaroi ajo.

Sipas Kallas, kërkesat e Moskës për ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në Europë rrezikojnë të largojnë vëmendjen nga çështja kryesore: agresioni rus dhe tërheqja e trupave nga Ukraina.

Në raundin e fundit të negociatave mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluar këtë javë në Abu Dhabi, Moska ka rikthyer kërkesat e saj për një riorganizim të plotë të sigurisë europiane. Këto kërkesa ishin refuzuar edhe në vitin 2021, pasi u konsideruan si cenim i sovranitetit të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore.

Një tjetër çështje e rëndësishme në zhvillimet diplomatike është përfshirja e vendeve europiane në raundet e ardhshme të negociatave.

I dërguari amerikan Jared Kushner deklaroi se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord për zgjerimin e formatit të bisedimeve me pjesëmarrjen e europianëve, por Moska reagoi duke vënë në pikëpyetje këtë mundësi.

Kremlini deklaroi se fillimisht duhet të kuptojë qëllimet e Europës dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në procesin e paqes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme