Kaosi ajror në SHBA prek hekurudhat, bllokohen sistemet dixhitale nga fluksi i lartë i udhëtarëve

14 Nëntor 2026 | 09:54

Pasojat e bllokimit kombëtar të trafikut ajror në Shtetet e Bashkuara është shtrirë edhe në transportin hekurudhor. Amtrak, operatori kombëtar i shërbimeve të transportit hekurudhor të pasagjerëve në vend, ka njoftuar se po përballet me probleme në shërbimet dixhitale dhe në kujdesin ndaj klientit, për shkak të kërkesës së lartë të krijuar nga kaosi në transportin ajror.

Kompania konfirmoi se faqja e saj zyrtare dhe aplikacioni po shfaqin mesazhe gabimi, ndërsa pasagjerët po hasin vështirësi për të kontaktuar përfaqësuesit e saj, pasi numri i telefonatave është rritur ndjeshëm.

Në një postim në platformën X, duke iu përgjigjur ankesës së një klienti, Amtrak pranoi problemet e shfaqura në shërbimet e saj.

“Ju kërkojmë ndjesë për mesazhet e gabimit si në faqen tonë të internetit, ashtu edhe në aplikacion, si dhe për vështirësitë në kontaktimin me një përfaqësues të kompanisë”, thuhej në reagimin e saj.

Kompania ia atribuoi ngarkesën e shtuar në sistemet e shërbimit ndaj klientit problemeve që vijojnë të prekin transportin ajror në SHBA.

“Për momentin po përballemi me një numër telefonatash më të lartë se zakonisht, për shkak të problemeve të vazhdueshme në transportin ajror”, sqaroi Amtrak.

Udhëtarët po i drejtohen transportit hekurudhor

Rritja e kërkesave drejtuar Amtrak vjen në një kohë kur Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) ka urdhëruar pezullimin në shkallë kombëtare të ngritjeve të avionëve, për shkak të një problemi teknik në sistemet e komunikimit të qendrave të kontrollit të trafikut ajror.

Kjo situatë ka shtuar interesin për mënyra alternative udhëtimi, ku pasagjerët po i drejtohen edhe shërbimeve hekurudhore për të gjetur zgjidhje për udhëtimet e tyre të planifikuara.

Megjithatë, Amtrak nuk ka publikuar të dhëna konkrete për numrin e rezervimeve shtesë apo të pasagjerëve që po kërkojnë linja alternative udhëtimi.

Gjithashtu, njoftimet e kompanisë lidhen me problemet në faqen e internetit, aplikacion dhe shërbimin telefonik, pa përmendur ndonjë ndërprerje të përgjithshme të qarkullimit të trenave.

Amtrak u ka rekomanduar klientëve të saj që të provojnë sërish të përdorin shërbimet online ose të kontaktojnë kompaninë në një moment të mëvonshëm, kur kërkesa e lartë të jetë normalizuar.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur se kur do të rikthehet plotësisht funksionimi i shërbimeve dixhitale të kompanisë.

Problemet e Amtrak përbëjnë një tjetër dëshmi të pasojave më të gjera që ka shkaktuar pezullimi i transportit ajror në SHBA. Kaosi nuk po kufizohet më vetëm në aeroporte, por po prek edhe shërbimet alternative të transportit, ku udhëtarët po drejtohen për të vijuar udhëtimet e tyre.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tre të vdekur dhe mbi 50 të plagosur nga sulmet ruse në Zaporizhia dhe Odessa

Të paktën tre persona u vranë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën në sulmet ruse në dy qytete ukrainase, Zaporizhia dhe Odessa,...
09:46 | 14/11/2026

Paralajmërimi i fortë i Kallas: Rusia po ngre kurthe në bisedimet për Ukrainën

Shefja e politikës së jashtme të BE-së ka paralajmëruar kundër “hyrjes në kurthet që po ngre Rusia ”, ndërsa tha se Moska po përpiqej të...
09:15 | 14/11/2026

Mrekulli në Misisipi, shpëtohen rreth 130 pasagjerë pas përplasjes së anijes turistike me një cisternë (VIDEO)

Rreth 130 persona në një anije të ankoruar në New Orleans u shpëtuan pasi ajo u godit nga një anije cisternë. Anija, American Heritage, u...
09:06 | 14/11/2026