Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping planifikojnë të takohen javën e ardhshme në qytetin Shenzhen të Kinës, gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Sipas Shtëpisë së Bardhë, në qendër të bisedimeve do të jetë reduktimi i armëve bërthamore. Tre presidentët mund të diskutojnë edhe për Iranin, por jo për luftën në Ukrainë.

“Presidenti e ka bërë të qartë se, mes çështjeve të tjera, do të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave Trump e konsideron shumë të rrezikshme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales.

Rusia dhe Kina nuk e kanë konfirmuar ende takimin. Ndërkohë, një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, u tha agjencive AP dhe Reuters se nuk pritet ndonjë marrëveshje në përfundim të bisedimeve.

Trump do të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, për samitin dyditor ku përfaqësohen 21 ekonomi. Të enjten do të takohet veçmas me Xi Jinping, për herë të katërt që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.

“Presidenti Trump do ta përfundojë vizitën në Kinë me një takim trepalësh mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, presidentit të Republikës Popullore të Kinës dhe presidentit të Federatës Ruse”, tha Wales.

Përpara vizitës në Kinë, presidenti amerikan do të marrë pjesë të martën në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), në Filipine. Sipas Shtëpisë së Bardhë, udhëtimi synon të çojë përpara interesat amerikane në rajonin e Indo-Paqësorit.

Armët bërthamore, tema kryesore e takimit

Takimi vjen pasi në shkurt skadoi marrëveshja për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë, duke i lënë dy vendet me arsenalet më të mëdha në botë pa kufizimet kryesore të mëparshme.

Përfundimi i marrëveshjes shënoi praktikisht fundin e bashkëpunimit për kontrollin e armatimeve, i cili ndihmoi në zgjidhjen e Luftës së Ftohtë.

Kombet e Bashkuara u kërkuan Uashingtonit dhe Moskës të bien dakord sa më shpejt për një marrëveshje të re.

Trump deklaroi se marrëveshja e skaduar mund të zëvendësohet me një tjetër më të mirë, ku të përfshihet edhe Kina, e cila po zgjeron arsenalin e saj bërthamor.

Por ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe analistë i thanë BBC-së se sigurimi i bashkëpunimit të Pekinit dhe Moskës mund të hasë pengesa të mëdha dhe të kërkojë vite.

Marrëdhëniet mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës

Xi Jinping priti veçmas Putinin dhe Trump në Pekin, me vetëm pak ditë diferencë, në fillim të këtij viti. Presidenti amerikan e priti homologun kinez në Uashington në shtator.

Kina u kthye në një partner tregtar kyç për Rusinë pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022, kur Moska u përball me izolim dhe sanksione nga Perëndimi.

Muajin e kaluar, një marrëveshje e diskutueshme e SHBA-së për importimin e naftës diesel nga Rusia dhe pezullimi i sanksioneve ndaj blerësve kryesorë të naftës dhe gazit rus, përfshirë Kinën, shtuan shqetësimet në Europë për qëndrimin e administratës Trump ndaj Kremlinit.

Ndërkohë, Trump dhe Xi janë përpjekur të shfaqin marrëdhënie më të ngrohta gjatë takimeve në Pekin dhe Uashington, por pa përparim të dukshëm në çështje si tregtia, konkurrenca për inteligjencën artificiale dhe Tajvani.

Edhe lufta në Iran ka shkaktuar mosmarrëveshje mes dy vendeve. Kina është blerësja më e madhe e naftës iraniane dhe partnerja kryesore tregtare e Teheranit.