Migrena është lidhur prej kohësh me nivelet e sheqerit në gjak, por studimet e fundit sugjerojnë se te disa njerëz, luhatjet e forta të tij mund të jenë një nga shkaqet kryesore të kësaj sëmundjeje.
Në pranverën e vitit 2025, Natalie Mead vendosi të provonte një mundësi të fundit për të trajtuar migrenën e rëndë, e cila i kishte dhënë fund karrierës së saj si inxhiniere softuerësh. Për gjashtë vjet me radhë, ajo kishte hyrë e dalë nga spitali, kishte provuar njëri pas tjetrit medikamente të reja dhe kishte hequr dorë nga ushqime të ndryshme për të zbuluar shkaktarët e mundshëm të migrenës. Megjithatë, ajo vazhdonte të kishte mesatarisht 28 ditë me migrenë në muaj. "Pjesën më të madhe të ditëve e kaloja në shtrat, duke mbajtur syze dielli ose kapele edhe brenda shtëpisë", tregon Mead.
Më në fund, ajo vendosi të ndiqte një dietë shumë më të rreptë dhe shpesh të diskutueshme: dietën ketogjenike, ose keto, e cila kufizon ndjeshëm karbohidratet për ta nxitur trupin të mos përdorë më glukozën si burimin kryesor të energjisë.
Ajo kishte arritur në këtë vendim pasi kishte lexuar studime që sugjeronin se te disa njerëz me migrenë kronike, shkaku mund të jetë një çrregullim metabolik, pra një problem me mënyrën se si trupi e shndërron ushqimin në energji. Dieta keto kishte ndihmuar disa prej tyre të lehtësonin simptomat.
Edhe pse Mead nuk kishte ndonjë problem të njohur metabolik, si diabeti apo paradiabeti, ajo vendosi të mbante për 10 ditë një pajisje që mat vazhdimisht nivelin e glukozës në gjak, për të parë nëse do të zbulonte ndonjë çrregullim.
Ajo që zbuloi ishte befasuese. Sa herë që hante, niveli i sheqerit në gjak i rritej deri në vlera të ngjashme me ato të personave me diabet, por një ose dy orë më vonë binte ndjeshëm, deri në nivele që shpesh konsiderohen urgjencë mjekësore.
Ky fenomen njihet si hipoglicemia reaktive dhe nuk zbulohet nga analizat e zakonshme, si matja e glukozës esëll apo analiza e hemoglobinës A1C. Këto luhatje të shpejta të sheqerit në gjak kishin bërë që truri i Mead të përpiqej vazhdimisht të përshtatej me nivelet tepër të larta dhe më pas tepër të ulëta, të cilat shkaktojnë simptoma të theksuara.
Ideja se mund të ketë një lidhje mes metabolizmit dhe migrenës nuk është e re. Ajo daton më shumë se një shekull më parë. Niveli i ulët i sheqerit në gjak njihet si një nga shkaktarët e migrenës. Gjithashtu, është vërtetuar lidhja mes migrenës dhe rezistencës ndaj insulinës, një gjendje në të cilën trupi nuk reagon siç duhet ndaj insulinës së prodhuar, duke sjellë rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe rrezikun e diabetit.
Megjithatë, vitet e fundit, studiuesit po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje mundësisë që te disa njerëz migrena të shkaktohet nga veçori të caktuara të metabolizmit, si luhatjet e shpejta të sheqerit në gjak. Për shembull, në një studim të publikuar në fillim të këtij viti, studiuesit analizuan 247 persona me migrenë kronike, e cila përkufizohet si prania e dhimbjeve të kokës për të paktën 15 ditë në muaj. Ata zbuluan se këta persona kishin luhatje më të mëdha të glukozës në gjak. Me fjalë të tjera, nivelet e sheqerit në gjak ndryshonin më shpesh dhe më shumë sesa te personat që nuk vuanin nga migrena.
Gjithashtu, po kuptohet gjithnjë e më mirë se metabolizmi i trupit dhe ai i trurit kanë veçoritë e tyre. Studimet kanë zbuluar çrregullime metabolike në tru gjatë krizave të migrenës, përfshirë një nevojë më të madhe për glukozë.
Truri është veçanërisht i ndjeshëm ndaj luhatjeve të sheqerit në gjak, sepse ka shumë më pak burime alternative energjie.
"Truri ka nevoja shumë të mëdha metabolike, krahasuar me çdo organ tjetër", thotë Aaron Struck, neurolog në Universitetin e Uashingtonit në Sent Luis, Misuri. "Pjesa më e madhe e trupit mund të përdorë yndyrnat, proteinat dhe glukozën për të prodhuar energji, por truri është disi i veçantë, sepse përdor kryesisht glukozën."
Kujdesi ndaj ushqyerjes ka qenë gjithmonë pjesë e trajtimit të migrenës, qoftë duke shmangur ushqimet që mund të shkaktojnë kriza, duke mos kapërcyer vaktet apo duke pirë një Coca-Cola kur niveli i sheqerit në gjak është shumë i ulët. Megjithatë, dieta keto është konsideruar si një zgjidhje e fundit për personat që vuajnë nga migrena.
Kur trupi privohet nga glukoza, ai fillon të shpërbëjë yndyrnat për të prodhuar substanca të quajtura ketone, të cilat mund t'i përdorë si burim energjie.
"Ne mund ta përshtatim trajtimin sipas nevojave të secilit pacient, në mënyrë që t'i ndihmojmë", thotë Kyle Bills, studiues në Kolegjin e Mjekësisë Osteopatike Noorda, në Provo të Jutas, dhe një nga autorët e studimit.
Sipas vëzhgimeve të tij, pacientët që reagojnë mirë ndaj dietës keto kanë prirje të shfaqin nivele të insulinës dhe të sheqerit në gjak që luhaten mes kufirit të paradiabetit dhe hipoglicemisë, pra nivelit të ulët të sheqerit në gjak. E njëjta gjë ndodhte edhe me Mead-in.
"Kur janë esëll, nivelet e sheqerit në gjak u afrohen vlerave që zakonisht i lidhim me paradiabetin", shpjegon Bills, duke iu referuar vlerave disi të larta të glukozës. "Por pasi hanë, ose në këtë rast, pasi marrin glukozë, ndodh e kundërta. Ata përfundojnë në gjendje hipoglicemie."
Gjatë tri javëve të para me dietën keto, Mead u ndie po aq keq sa edhe kur vuante nga migrena kronike. Por një ditë u zgjua herët, doli nga shtrati dhe ndoqi rutinën e saj të zakonshme të mëngjesit.
Kur doli jashtë, kuptoi diçka të pazakontë.
Dhimbja ishte zhdukur.
"Më kujtohet që hoqa kapelen dhe syzet e diellit dhe mendova: 'Nuk ka asnjë problem. Nuk kam nevojë t'i mbaj'", tregon Mead. "Pas gjashtë vjetësh që i mbaja kudo, nuk munda t'i mbaja lotët."
Kaluan disa orë dhe Mead vazhdonte të priste që dhimbja të rikthehej. Pasditen e kaloi ulur në diell, duke shijuar lehtësimin e papritur dhe duke pyetur veten se kur do të merrte fund.
"Çdo person që vuan nga migrena zhvillon një frikë të thellë se mos kjo gjendje është e përkohshme", thotë Mead. Dhe në fakt, pas tre muajsh, kur filloi të largohej gradualisht nga dieta, disa nga dhimbjet e kokës u rikthyen. Për fat të mirë, këtë herë mjekimi ishte i mjaftueshëm për ta zhdukur migrenën, në vend që thjesht të lehtësonte intensitetin e saj.
Bills thotë se, sipas përvojës së tij, pacientët me migrenë kronike zakonisht mund ta ndërpresin dietën keto pas tre muajsh dhe të ruajnë një pjesë të madhe të përfitimeve. Ai dyshon se kjo ndodh sepse trupi arrin të stabilizojë më mirë reagimin e sheqerit në gjak. Megjithatë, kjo metodë nuk funksionon për të gjithë pacientët.
Pikërisht për këtë arsye, ai dhe ekspertë të tjerë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje më efektive dhe gjithëpërfshirëse për pacientët, e cila të mos mbështetet te një dietë kaq kufizuese.
"Po largohemi nga kultura e fajësimit të pacientëve për migrenën", thotë Alexandra Sinclair, neurologe në Universitetin e Birmingamit në Mbretërinë e Bashkuar. "Dikur i fajësonim njerëzit se e shkaktonin vetë migrenën, sepse kishin ngrënë çokollatë apo kishin kapërcyer një vakt. Ajo që duam është të trajtojmë mekanizmat themelorë që shkaktojnë migrenën, në vend që t'i bëjmë njerëzit të ndihen fajtorë për gjendjen e tyre."
Më shumë se një vit pasi iu rikthye ushqyerjes së zakonshme, Mead vazhdon të ketë shumë pak kriza migrene. Ajo ka ende disa ditë me dhimbje koke çdo muaj, por ndryshe nga më parë, tani ilaçet i bëjnë efekt.
Pas vitesh të tëra gjatë të cilave mjekët i kishin këshilluar të mos krijonte familje për shkak të migrenës së rëndë, në fillim të këtij viti Mead mbeti shtatzënë. Lindja e fëmijës pritet në dhjetor.
"Për mua, ky ishte përfundimi më i papritur i gjithë kësaj historie", thotë Mead. /National Geographic – Syri.net
© SYRI.net
Si ndikojnë disa fjalë të mjekëve në vendimet e pacientëve? Studimi zbulon një prirje të papritur
ADHD rrit me 70% rrezikun e vdekjes? Studimi zbulon lidhjen me vetëvrasjet, aksidentet dhe sëmundjet
Pse disa fëmijë nuk arrijnë të kuptojnë matematikën? Shkencëtarët zbulojnë dallimin që fshihet në tru