Momente paniku në Itali, masivi i dheut dhe baltës shembet në mes të rrugës, 50 persona dhe dy komunitete mbeten të izoluara Mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në aeroportet e Shteteve të Bashkuara, pasi autoritetet pezulluan për disa orë nisjen e fluturimeve për shkak të një problemi në sistemin e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror. Pas ndërprerjes, disa fluturime kanë rifilluar, por situata vijon të jetë e vështirë, me vonesa dhe anulime të shumta.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, fajësoi teknologjinë e vjetruar të kontrollit të trafikut ajror dhe mbingarkesën e pajisjeve të rrjetit, duke paralajmëruar se rikthimi në normalitet do të jetë gradual.
Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, deklaroi se ndërprerja lidhej me përditësimet e kryera në sistemet e vjetra të Administratës Federale të Aviacionit (FAA). Ai theksoi se incidenti nuk kishte lidhje me ndonjë kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe as me ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft-it gjatë kësaj jave.
Përmasat e situatës janë të konsiderueshme. Mbi 15 mijë fluturime janë vonuar ose anuluar gjatë së premtes, ndërsa për të shtunën parashikoheshin rreth 3 mijë të tjera me vonesa ose anulime.
Për pasagjerët, situata është shoqëruar me radhë të gjata në aeroporte, pasiguri për udhëtimet dhe pritje të gjata për riorganizimin e fluturimeve. Disa prej tyre janë detyruar të kalojnë natën në ambientet e aeroporteve.
Sekretari Duffy paralajmëroi se probleme të ngjashme mund të përsëriten nëse nuk modernizohet infrastruktura e kontrollit ajror. Ai i bëri thirrje Kongresit amerikan të miratojë fondet e nevojshme për përmirësimin e sistemeve.
Megjithatë, sipas tij, situata nuk pritet të ndikojë në udhëtimet për festën e Falënderimeve, që festohet në fund të nëntorit. Ndërkohë, autoritetet dhe kompanitë ajrore po punojnë për rikthimin e plotë të trafikut ajror.
Top Channel