Presidenti amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë një takim trepalësh me homologët e tij rus dhe kinez, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, javën e ardhshme në qytetin Shenzhen të Kinës. Shtëpia e Bardhë konfirmoi të premten se takimi do të mbahet në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, tha se një prej temave kryesore të diskutimit do të jetë reduktimi i armëve bërthamore në nivel global.
“Presidenti e ka bërë të qartë se, ndër të tjera, do të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore në botë. Presidenti Trump beson se përhapja e tyre është shumë e rrezikshme”, deklaroi ajo.
Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur për Euronews se në takim pritet të diskutohet edhe lufta në Iran, ndërsa çështja e Ukrainës nuk është parashikuar në agjendë. Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni po zhvillon një kanal të veçantë negociatash me Kievin dhe Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas tij, Kina nuk është pjesë e këtij procesi dhe për këtë arsye diskutimi i çështjes në takimin trepalësh nuk shihet si i përshtatshëm.
Moska dhe Pekini nuk kanë komentuar ende mbi takimin e raportuar. Përveç takimit trepalësh, Trump pritet të zhvillojë edhe një bisedë dypalëshe me presidentin kinez Xi Jinping.
Presidenti amerikan do të largohet nga Uashingtoni të hënën drejt Filipineve, ku do të marrë pjesë në një takim të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), përpara se të udhëtojë drejt Shenzhenit. Në delegacionin amerikan pritet të jetë edhe Elon Musk, drejtuesi i kompanive Tesla dhe SpaceX, por zyrtarët kanë sqaruar se ai nuk do të marrë pjesë në takimin me Putin dhe Xi.
Samiti i APEC-ut për vitin 2026 do të mbahet më 18 dhe 19 nëntor, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të 21 ekonomive anëtare. Në fokus të tij do të jenë inteligjenca artificiale, tensionet tregtare dhe rritja ekonomike.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, tha se Pekini pret që samiti të sjellë rezultate konkrete në bashkëpunimin me partnerët në fushat e inteligjencës artificiale, tregtisë, ndërlidhjes dhe ekonomisë digjitale.