“E gjetëm vendin në fund të një kapitulli që ishte si libër borxhesh”, Rama: Pas Traktatit të Anëtarësimit qëndrojnë vite pune kolosale
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama është ndalur te rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se rekomandimi për nisjen e përgatitjeve për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit është rezultat i viteve të tëra pune dhe reformash.
Rama u shpreh se ky moment historik kërkon bashkimin e të gjitha energjive dhe vullneteve për ta bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ai kujtoi gjithashtu gjendjen në të cilën, sipas tij, ndodhej vendi në vitin 2013, duke përmendur borxhet, vështirësitë ekonomike dhe mungesën e shpresës për integrimin europian.
Rama: Si mundemi ne në këtë moment historik të mos i mbledhim të gjitha mendjet, të gjitha vullnetet, të gjitha energjitë tona për ta bërë realitet këtë faqe të fundit të një libri që ka nisur të shkruhet shumë kohë më parë?
Ne e gjetëm në fund të një kapitulli që ishte si një libër borxhesh. Borxhe në të gjithë sektorët, dështime, kërcënim i një kolapsi financiar të menjëhershëm dhe mungesë shprese se Shqipëria mund të bëhej ndonjëherë shtet europian.
Në 2013-ën ju kujtohet se si njerëzit na kërkonin gjëra elementare dhe se si, kur ne filluam reformën e energjisë, Shqipëria filloi të zgjohej me ndjesinë që kishte filluar një faqe e re e shtetbërjes.
Prandaj jemi ne të parët që nuk kemi të drejtën ta harrojmë se pas togfjalëshit ‘Traktati i Anëtarësimit të Shqipërisë’ janë vite pune që nuk numërohen siç numërohen vitet në kalendar. Janë shumë më tepër se aq, janë vite të një pune kolosale, vite reformash, përplasjesh, përpjekjesh.




