Në fillim të fjalës së tij në Asamblenë e PS, Edi Rama u ndal te progres raporti për Shqipërinë duke e vënë theksi te kërkesa e Komisionit Europian që të nisë puna për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Rama thotë se në këtë moment historik gjithçka duhet të përqendrohet te anëtarësimi pasi Evropa është e prekshme.
“I kërkohet Këshillit Europian të nisë përgatitjet për të hartuar Traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Dua ta dëgjojë çdo shqiptar dhe shqiptare që na ndjek. Faqja e fundit e historisë që po e shkruajmë ne, PS, e paarritshme deri dje, por sot, e prekshme. E prekshme jo si ëndrra që prindërit ua përcillnin fëmijëve siç përcillnin fëmijët në Europë, jo si premtim që thuhej gjatë fushatës nga të gjitha forcat politike. Sot Europa është e prekshme me sy, përmes vetë gishtit të KE që tregon se ky është momenti për të nisur përgatitjet për Traktatin historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të BE. Si mundemi ne që në këtë moment historik të mos i mbledhim të gjitha mendjet, energjitë tona për ta bërë realitet edhe këtë faqe të fundit të një libri që ka nisur të shkruhet qysh se nuk mbahet mend dhe që ne e gjetëm si një libër borxhesh. Borxhe në të gjithë sektorët, dështime, kërcënim i një kolapsi financiar të menjëhershëm dhe mungesë shprese që Shqipëria të bëhet anëtare e BE”, tha Rama.










