“Princesha e burgut, Sara Mile”, Berisha: Ndihmat sociale në Peqin u përdorën për blerje votash me urdhër të saj
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar thirrjen në SPAK të deputetes socialiste Sara Mila, e cila u paraqit pak ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha pretendoi se drejtoresha e ndihmave sociale në Peqin kishte përdorur ndihmat ekonomike për qëllime elektorale, me urdhër të Sara Miles. Ai iu referua regjistrimeve që, sipas tij, provojnë përdorimin e skemës sociale për të siguruar vota.
Berisha ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi përgjegjësinë e deputetes, duke pretenduar se në këtë çështje ka edhe persona të tjerë të përfshirë.
Sali Berisha: A e morët vesh ju pse u thirr princesha e burgut, Sara Mile në SPAK?
Sepse drejtoresha e ndihmave sociale në Peqin, me urdhër të saj, sipas regjistrimeve, ka përdorur ndihmat sociale qartësisht për vota. Për të blerë vota!
Pra, a është Sara mëkatarja më e madhe? Jo, ju them unë, nuk është. Aty ka bosë të krimit, përveç Padrinos, kreu i grupit parlamentar, njeri që sipas dokumenteve shtetërore zyrtare, ka porositur vrasje.




