Komuna e Pejës ka publikuar sqarimin e Qendrës për Punë Sociale lidhur me gjetjet e raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm, i cili u realizua pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026 në Vitomiricë.
Përmes këtij sqarimi, QPS-ja ka paraqitur veprimet që thotë se i ka ndërmarrë gjatë trajtimit të rastit, duke iu referuar intervenimeve, bashkëpunimit me institucionet e tjera dhe masave të marra pas ngjarjes tragjike.
Sipas QPS-së, intervenimi fillestar është realizuar përmes kujdestarisë 24-orëshe, vizitave në terren, vlerësimeve të gjendjes socio-ekonomike dhe bashkëbisedimeve me prindërit e familjarët.
Në kuadër të trajtimit të rastit, institucioni thotë se ka bashkëpunuar edhe me shkollën “The Cambridge School”, ku vijonte mësimet djali i Arlinda Zekajt, si dhe me Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë. Nga këto institucione janë siguruar raporte për gjendjen emocionale dhe psikologjike të fëmijës.
QPS-ja ka bërë të ditur se ka qenë e përfshirë edhe në procedurat gjyqësore në Gjykatën Themelore në Pejë, ku ka dorëzuar raporte profesionale dhe rekomandime për mbështetjen psikologjike të fëmijës dhe përgatitjen e tij graduale.
Ndërkaq, pas vrasjes së Arlindës, kur fëmija mbeti pa përkujdesje prindërore, Qendra thotë se ka ndërmarrë veprime urgjente për vendosjen e tij në një ambient të sigurt. Kjo, sipas sqarimit, është bërë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, ndërsa është siguruar edhe caktimi i kujdestarit ligjor.
Megjithatë, raporti i Inspektimit të Jashtëzakonshëm, i realizuar nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ka evidentuar edhe disa fusha ku nevojiten përmirësime në punën e QPS-së.
Inspektorati ka vënë në pah nevojën për përdorim më të mirë të formularëve standardë në menaxhimin dhe dokumentimin e rasteve, respektim të afateve për dorëzimin e raporteve dhe dokumentacionit në gjykata, si dhe forcim të monitorimit dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme.
Po ashtu, është rekomanduar shtimi i kapaciteteve profesionale dhe njerëzore, duke marrë parasysh numrin e rasteve dhe territorin që mbulon kjo qendër, si dhe qartësimi i përgjegjësive ndërmjet QPS-së dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.
Qendra për Punë Sociale në Pejë ka deklaruar se i merr me seriozitet gjetjet dhe rekomandimet e Inspektoratit dhe se do të ndërmarrë masa për përmirësimin e procedurave të punës dhe cilësisë së shërbimeve sociale.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Syla.
Ajo u vra pak minuta pasi ishte kthyer nga Policia, ku kishte denoncuar bashkëshortin për shkelje të urdhrit mbrojtës. Tri ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj i ishte ankuar edhe kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke paralajmëruar se mund të vritej nëse institucionet nuk ndërmerrnin veprime.
Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe protesta, ndërsa pas tij janë ndërmarrë edhe masa brenda institucioneve. Në mesin e zhvillimeve ishte dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendimi i disa prokurorëve dhe zyrtarëve policorë.