Dosja për tjetërsimin e 44 mijë m² tokë shtetërore, 5 të dyshuarit paraqiten në gjykatën e Fierit
Pesë personat e përfshirë në dosjen e tjetërsimit të tokës shtetërore në zonën e Povelçës janë paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Në gjykatë kanë mbërritur Arben Voja, pavarësisht problemeve shëndetësore, Dilaver Shyti, Fjorelo Bida, Arbina Jaupaj dhe Anila Haxhiu.
Ata do të dalin para trupit gjykues, të përbërë nga gjyqtari Noel Veizi, për t’u njohur me verifikimin e masave të sigurisë të vendosura më herët nga gjykata. Çështja ndiqet nga prokurori Leonard Suçi.
Katër prej tyre ndodhen aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për Arbina Jaupajn është caktuar masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Pesë personat dyshohen për veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Çështja lidhet me tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në Povelçë, e cila dyshohet se është kaluar në pronësi private për t’u përdorur për ndërtimin e një parku fotovoltaik.




