Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.
Sipas raportit, gjatë trajtimit të këtij rasti janë evidentuar shkelje të afateve gjyqësore, neglizhencë në përmbushjen e detyrave zyrtare, mungesë monitorimi dhe mbikëqyrjeje profesionale, njofton Dukagjini.
Një nga gjetjet kryesore të Inspektoratit është se QPS-ja nuk e kishte dorëzuar me kohë raportin e kërkuar nga Gjykata. Ndonëse me aktvendimin e 24 shtatorit 2026 ishte përcaktuar afati prej shtatë ditësh, raporti ishte dorëzuar më 5 tetor.
Po ashtu, është konstatuar mungesa e pajustifikuar e menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të 5 tetorit 2026.
Inspektorati ka evidentuar edhe mosrealizimin e monitorimit pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të 7 shtatorit, ndonëse QPS-ja kishte përgjegjësi të vepronte edhe pa pasur detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata.
Në raport janë evidentuar gjithashtu moszbatimi i procedurave standarde për menaxhimin e rastit, mosplotësimi i formularit për kontaktet dhe punën në rast, si dhe mungesa e Planit Individual të Shërbimeve.
Një tjetër gjetje lidhet me mungesën e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale ndaj punës dhe përmbushjes së detyrave nga menaxherja e rastit.
Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës që të ndërmarrë masa disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., në përputhje me përgjegjësitë e tyre dhe procedurat ligjore.
Përveç masave disiplinore, raporti i kërkon Komunës së Pejës edhe rritjen urgjente të numrit të stafit profesional të licencuar në QPS, duke marrë parasysh numrin e rasteve dhe territorin që mbulon ky institucion.
Një tjetër rekomandim është zhvendosja e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., me qëllim që Qendra për Punë Sociale të mund ta ushtrojë punën e saj në mënyrë të pavarur dhe të ketë ndarje të qartë të detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet dy institucioneve.
Inspektorati ka dhënë rekomandime edhe për vetë QPS-në në Pejë. Ndër to është sigurimi i mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe vizitave të rregullta për fëmijën e vendosur në strehimore, për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore e psikosociale dhe përshtatjen në këtë mjedis.
Po ashtu, kërkohet koordinim më i mirë i shërbimeve me institucionet përkatëse, përdorim i të gjithë formularëve standardë për menaxhimin e rasteve dhe vlerësim i nevojave për trajnim e ritrajnim të stafit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje.
Ministria ka kërkuar nga Komuna e Pejës që rekomandimet të trajtohen pa vonesë dhe që kjo e fundit ta njoftojë zyrtarisht për veprimet e ndërmarra. Ndërkaq, ka bërë të ditur se do ta monitorojë zbatimin e tyre.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Syla. Ajo ishte vrarë pak minuta pasi ishte kthyer nga Policia, ku kishte denoncuar bashkëshortin për shkelje të urdhrit mbrojtës. Tri ditë para vrasjes, ajo i ishte ankuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë se mund të vritej nëse institucionet nuk vepronin.
Vrajsa e Arlinda Zekajt, QPS-ja në Pejë zotohet për përmirësimin e punës