Në një tjetër thirrje për një front të përbashkët kundër Edi Ramës, Sali Berisha u shpreh se edhe nëse Erion Veliaj jep kontribut për largimin e kreut të narkoshtetit, nuk ndalohet. Sot në një bashkëbisedim, kryetari demokrat u pyet për deklaratën në Kukës se “armiku i armikut tim është aleati im” dhe nëse Erion Veliaj hyn në këtë listë?
Në këtë listë hyjnë të gjithë ata, të cilët e konsiderojnë të keqen më të madhe për Shqipërinë, Edi Ramën. Erion Veliaj është një i burgosur hajdut aty ku është dhe në arrestimin dhe krimet e tij, Partia Demokratike ka një kontribut të pamohueshëm.
Por, edhe njëherë e them, cilido që dëshiron të kontribuojë në largimin e të keqes më të madhe, nuk është bashkim programor ky, jo.
Winston Churchill fitoi luftën me fuqinë ushtarake më të madhe të kohës sepse thirri bashkimin. Dhe u bashkua, me kë u bashkua? Me Josif Stalinin, diktatorin më gjakatar të të gjitha kohërave. Pra, duhet t’i dallojmë gjërat. Shqiptarët, ky regjim po i dëbon nga trojet e tyre, prandaj duhet të ikë një minutë e më parë.
Po në qoftë se Veliaj jep kontribut, le të japë. Nuk ndaloj asnjërin.
-A do mund të bashkoheshit me një forcë politike që ju kritikon personalisht, por ka të njëjtin qëllim politik?
Berisha: Absolutisht, që nesër. Edhe të vazhdojë të kritikojë, pa diskutim.