Udhëheqësit evropianë kanë kërkuar më shumë investime dhe përshpejtim të zhvillimit të inteligjencës artificiale, me synimin për të forcuar konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian në garën globale të teknologjisë dhe për të garantuar autonominë strategjike të kontinentit.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e cilësoi inteligjencën artificiale si “teknologjinë më të rëndësishme të kohës sonë”, duke theksuar se Evropa duhet të shfrytëzojë potencialin e saj, por njëkohësisht të menaxhojë rreziqet që ajo paraqet.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi rëndësinë e investimeve në këtë sektor, duke bërë të ditur se 37 për qind e bizneseve në BE përdorën inteligjencën artificiale gjatë vitit 2025.
Ndërkohë, kryeministri irlandez Michael Martin paralajmëroi se Evropa duhet të përshpejtojë kalimin nga inovacioni drejt zbatimit konkret dhe suksesit tregtar të teknologjisë. Ai theksoi se inteligjenca artificiale duhet të mbetet nën kontrollin dhe mbikëqyrjen njerëzore, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.
Martin ngriti gjithashtu shqetësimin për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet e teknologjive digjitale, si dhe për ruajtjen e proceseve demokratike dhe integritetit të debatit publik.
Ukraina, BE kërkon një qëndrim të përbashkët për negociatat e paqes
Në takimin e tyre, udhëheqësit evropianë diskutuan edhe luftën Rusi-Ukrainë, duke kërkuar një qëndrim të koordinuar për negociatat që synojnë përfundimin e konfliktit.
Antonio Costa deklaroi se siguria e Evropës është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e Ukrainës, duke theksuar se kontinenti duhet të flasë me një zë të vetëm për të ardhmen e Kievit.
Ai bëri të ditur se ekipi evropian për negociatat e paqes do të përfshijë institucionet e BE-së dhe grupin E5, ku bëjnë pjesë Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Costa nënvizoi se vetëm Ukraina ka të drejtën të vendosë për çështjet që lidhen me territorin dhe sovranitetin e saj, ndërsa kërkoi vijimin e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin.
Nga ana tjetër, Ursula von der Leyen njoftoi se Komisioni Evropian do të propozojë së shpejti paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se do të paraqitet një propozim për të adresuar nevojat financiare të Ukrainës për vitin 2027.
Kryeministri irlandez Michael Martin theksoi se Moska duhet të dëshmojë seriozitet në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, duke shprehur mbështetjen për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme.








