Sfida e fundit në Nations League, Kombëtarja shqiptare kryen stërvitjen zyrtare para Bjellorusisë Futbolli italian rikthehet sërish në qendër të një beteje të fortë institucionale. Sot janë zyrtarizuar dy kandidaturat kryesore që do të garojnë për postin e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 dhjetorit 2026: komisioneri aktual Giovanni Malagò dhe ish-drejtuesi historik i Milanit e Monzës, Adriano Galliani.
Pse po përsëriten zgjedhjet?
Rikthimi në kutitë e votimit vjen vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të qershorit, të cilat u fituan nga vetë Malagò. Procesi i kaluar u shpall i pavlefshëm pasi u konstatua një shkelje formale e statutit: në momentin e kandidimit, Malagò nuk kishte statusin e të regjistruarit (tesserato) pranë federatës. Kjo detyroi Komitetin Olimpik Kombëtar Italian (CONI) të ndërhynte, duke e anuluar mandatin dhe duke e vënë FIGC-në nën administrim të jashtëzakonshëm, me Malagò-n në rolin e komisionerit për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Rivaliteti dhe prapaskenat e garës
Pasi rregulloi pozicionin e tij formal, Giovanni Malagò rikthehet në garë i mbështetur nga një pjesë e klubeve të Serie A. Megjithatë, ndryshe nga vera e kaluar, fronti i elitës së futbollit italian është i përçarë, çka i hapi rrugën kandidaturës së Adriano Galliani-t. Galliani ka arritur të sigurojë mbështetjen e klubeve të pakënaqura të Serie A, si dhe të shoqatave të futbollistëve (AIC) dhe trajnerëve (AIAC), të cilat përbëjnë një bllok të rëndësishëm prej rreth 30% të peshës së votave.
Tensionet e ditëve të fundit
Fushata nuk ka kaluar pa polemika. Galliani paraqiti një ankimim në Gjykatën Federale kundër një komisioni të ngritur nga Malagò për verifikimin e kandidaturave, duke ngritur dyshime për konflikt interesi. Kërkesa e menjëhershme u tërhoq vetëm pasi u sqarua se vendimi përfundimtar mbi vlefshmërinë e kandidaturave i takon ekskluzivisht Sekretarit të Përgjithshëm të FIGC-së. Një tjetër pikë e nxehtë mbetet edhe “çështja Genoa”, pasi klubi ligur fillimisht nënshkroi për Gallianin dhe më pas për Malagò-n, duke i siguruar këtij të fundit kuorumin e nevojshëm në Serie A. Fjala e fundit do t’i takojë Asamblesë Zgjedhore më 14 dhjetor, ku delegatët e ligave, lojtarëve, trajnerëve dhe arbitrave do të vendosin se kush do të drejtojë futbollin italian në vitet e ardhshme.
Top Channel