Prodhimi i bollshëm i ullirit këtë vit nuk është shoqëruar me të ardhura për fermerët e Kuçovës. Mungesa e tregut ka bërë që çmimi i vajit të përgjysmohet. Nga 800 lekë per liter qe shitej vjet, sivjet ka rene ne 400 lekë per litër.

“Para një viti, vaji shkoi në 8 mijë lekë të vjetra litri. Mirëpo, tani, duke u shtuar sasia, bie çmimi. Sivjet shitet me 4 mijë ose 5 mijë lekë të vjetra litri. Nuk ka treg. Nëse nuk hapet tregu jashtë, duhet të ndërhyjë shteti për të gjetur tregje”.- shpreh njëri prej fermerëve.

Pronaret e fabrikave thonë se kanë tentuar t’i lidhin fermerët me restorantet, por kërkesa mbetet shumë më e ulët se prodhimi.

“Nuk kemi arritur të finalizojmë një marrëveshje konkrete për të përputhur sasinë që prodhohet me kërkesën e tregut. Prodhimi është shumë i madh, ndërsa kërkesa në tregun e brendshëm është më e ulët.”-  thanë ata.

Edhe çmimet në tregjet ndërkombëtare janë ulur, duke e bërë të vështirë shitjen e vajit shqiptar me një çmim që mbulon koston e prodhimit.

Përveç krizës së tregut, fermerët ne fshatin Velagosht nuk kane as rruge per te nxjerr prodhimin ne tregun vendas.

“Janë 2 km pa asfalt. Kalon vetëm makina 4x4, jo makinat e vogla. Shkatërron makinen në këtë rrugë.”- tha njëri fermer.

“Unë kam 2 tonë vaj, ku do t'i çoj? Kështu jemi të falimentuar. Jemi zero.”- u shpreh një tjetër.

Qarku i Beratit, ku përfshihet edhe bashkia Kuçovë, renditet ndër zonat kryesore prodhuese në vend. Sipas statistikave të INSTAT-it për vitin 2025, prodhimi në këtë qark arriti në rreth 24 mijë tonë ullinj, duke u pozicionuar në vendin e tretë në rang kombëtar, pas Fierit dhe Elbasanit.