Shahu shqiptar feston një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare. Mateu Boçi, vetëm 16 vjeç, është shpallur kampion Europe në kategorinë U-16, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Europian të Shahut për të Rinj 2026.

Përfaqësuesi i Klubit Sportiv Tirana triumfoi në kompeticionin e zhvilluar nga 4 deri më 12 nëntor në Kretë të Greqisë, ku morën pjesë shahistë të talentuar nga e gjithë Europa, në grupmoshat nga U-8 deri në U-18. Boçi, i cili mban titullin Mjeshtër FIDE, arriti kështu suksesin më të madh të karrierës së tij deri më tani. Pas disa titujve kombëtarë, talenti shqiptar ngjitet në majën e Europës për moshën e tij, duke konfirmuar potencialin e madh në këtë sport.

Lajmi u bë publik edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në Facebook e cilësoi triumfin si një lajm të bukur për shahun shqiptar. Edhe Federata Shqiptare e Shahut i ka kushtuar një urim të veçantë 16-vjeçarit, trajnerit të tij personal Kristaq Andoni dhe familjes, duke vlerësuar se kjo arritje është rezultat i punës, sakrificës dhe besimit të përbashkët.

Një medalje e artë që shkon përtej një suksesi individual dhe përfaqëson një moment krenarie për sportin shqiptar. Në moshën vetëm 16-vjeçare, Mateu Boçi ka arritur të vendosë emrin e tij në majën e shahut europian.

Top Channel