Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzon kryeministrin Edi Rama se ka përdorur shumicën parlamentare për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur zyrtarët e përfshirë në afera korruptive. Përmes një reagimi në Facebook, Bardhi kujton votimin e 12 marsit 2026, kur 82 deputetë të mazhorancës rrëzuan kërkesën e SPAK.
Sipas Bardhit, përgjegjësia politike e Ramës provohet nga votat e shumicës dhe jo nga deklaratat e tij publike. Ai paralajmëron se korrupsioni, mbrojtja politike dhe pazaret me drejtësinë nuk mund të mbajnë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Reagimi i Bardhit:
Në rastin e Belinda Ballukut, Edi Rama është kapur shah-mat. Sado të përpiqet të lajë duart, nuk mund të fshehë përgjegjësinë e tij për operacionin politik të mbrojtjes së Belinda Ballukut nga drejtësia.
Nuk duhen fjalët e Edi Ramës për të zbuluar mashtrimet e tij. Mjaftojnë veprat.
82 vota të shumicës së tij qeverisëse, më 12 mars 2026, refuzuan kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.
Kjo është avokatia e Edi Ramës për Belinda Ballukun: jo me fjalë, por me kartonë në Parlament.
Këtë vendim e ka evidentuar edhe Komisioni Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime serioze për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.
Edi Rama mund të jetë peng i Belinda Ballukut. Mund të jetë në pazar me segmente të SPAK-ut për të ndarë pushtetin e korruptuar, por Shqipëria nuk meriton të mbetet peng i tyre.
Rruga europiane e Shqipërisë nuk mund të mbahet peng nga korrupsioni, mbrojtja politike e Belinda Ballukut dhe pazaret e drejtësisë politike.
© SYRI.net
Qytetarët nuk ndalen, protestë në ditën e 168! Studentë, diaspora dhe qytetarë kërkojnë dorëheqjen e Ramës
Bylykbashi: Nuk ka zgjedhje të lira pa u ndarë shteti nga partia dhe krimi i organizuar
Blushi: Narkoregjimi po ha vetven, të bashkohemi për të çliruar Shqipërinë nga organizata e Nesti Angonit