Brazili përjetoi një ditë të vështirë në Singapor, ku u mposht nga Japonia me rezultatin 3-2, në miqësoren e radhës. Skuadra aziatike, në njëfarë mënyre, mori revanshin për humbjen ndaj Seleçaos në Botërorin e kësaj vere.
Pasi u gjend në disavantazhin e dyfishtë 2-0, pas golave të Kubo dhe Nakamura, Brazili arriti të barazojë shifrat në 2-2 falë dy golave të Vinicius Junior. Megjithatë, në minutat shtesë, Japonia shënoi golin e fitores me Sakamoton.
Goli vendimtar shkaktoi protesta nga stoli brazilian, pasi përfaqësuesit e skuadrës pretenduan se aksioni nisi pas një faulli. Disa prej tyre hynë në fushë për të kundërshtuar vendimin e arbitrit. Si pasojë, trajneri Carlo Ancelotti dhe Raphinha u ndëshkuan me karton të kuq.
Pas ndeshjes, trajneri italian nuk i kurseu kritikat ndaj arbitrit Jansen Foo, duke vënë në pikëpyetje përvojën e tij për të drejtuar një takim të këtij niveli.
“Rezultati padyshim u kushtëzua nga arbitri, që nuk diti të gjykojë ndeshjen, por nuk është as faji i tij. Ishte një ndeshje e nivelit të lartë dhe unë mendoj se ai nuk kishte eksperiencën e duhur për të arbitruar ndeshje të tilla. Kartoni i kuq? Më ndëshkoi sepse tha se nuk isha në gjendje të kontrolloja stolin, duke qenë se futbollistët hynë në fushë”, u shpreh Ancelotti.

