Debati i sotëm për Elisa Spiropalin dhe Plarent Ndrecën rikthen një pyetje që shoqëron politikën shqiptare prej dekadash: sa hapësirë ka për të kundërshtuar kryetarin pa humbur vendin në parti? Krahasimi mes Sali Berishës dhe Edi Ramës duhet bërë pikërisht këtu: te mënyra se si trajtojnë njerëzit që ua vënë në diskutim autoritetin.
Në historinë e PD-së, Berisha ka krijuar një precedent të hershëm dhe të rëndë. Përplasja e vitit 1992 me mocionistët përfundoi me përjashtimin e figurave si Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Ridvan Peshkëpia dhe të tjerë. Ishin njerëz që kishin kontribuar në themelimin dhe profilin intelektual të partisë. Kundërshtimi i tyre nuk prodhoi bashkëjetesë mes rrymave, por Berisha i përjashtoi dhe i sikterisi. Faktet mbeten publike se ata u përndoqen dhe u sulmuan nga pushteti i kohës.
Pasoja politike e atij vendimi shkoi përtej emrave të larguar. Ai nguliti bindjen se kundërshtimi i drejtuesit mund të përfundonte me humbjen e përkatësisë politike. Partia që lindi duke kërkuar pluralizëm për Shqipërinë e pati të vështirë ta pranonte pluralizmin brenda vetes.
Rasti i Ervin Salianjit e rikthen të njëjtin problem në një formë tjetër. Në maj 2026, Kryesia e PD-së miratoi vendimin që la Berishën kandidat të vetëm për drejtimin e partisë. Salianji u përjashtua nga gara me arsyetimin se nuk konsiderohej më anëtar, duke iu referuar pretendimeve për shkelje statutore dhe të Kodit të Etikës. Këto ishin arsyetimet e strukturave të PD-së; pasoja politike ishte largimi i një rivali të shpallur nga konkurrimi për kryetar. Por këtë herë PD dhe Berisha përdori “vetpërjashtimin” ndërkohë që Salianji deklaronte se nuk jam larguar nga anëtarsia në PD. Por e flakën nga PD.
Këtu qëndron një nga treguesit më të fortë të autoritarizmit partiak: kur kundërshtari humbet të drejtën për të konkuruar para se anëtarësia të ketë mundësi të zgjedhë mes tij dhe kryetarit. Një garë me një kandidat mund të konfirmojë kontrollin e drejtuesit, por nuk provon aftësinë e tij për të fituar një konkurim të hapur.
Rasti i sotëm me Edi Ramën, gjithsesi, tregon një ndryshim me rëndësi. Asambleja e PS-së nuk e hodhi në votim përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës, ndërsa Blendi Klosi konfirmoi se Spiropali vazhdon të jetë anëtare. Sipas sqarimit të mëpasshëm të Klosit, ata nuk mund të jenë pjesë e forumeve të partisë, por ruajnë anëtarësinë. Kjo është masë politike ndëshkuese, megjithatë nuk është dëbim nga partia.
Rama meriton të vlerësohet për faktin që përplasja nuk përfundoi me përjashtim nga anëtarësia. Por vetëm ky rezultat nuk mjafton për ta paraqitur PS-në si model të demokracisë së brendshme. Nëse një anëtar mund të qëndrojë në parti, por përjashtohet nga çdo mundësi përfaqësimi në forumet e saj, hapësira e tij për të ndikuar mbetet e kufizuar. Tolerimi i anëtarësisë është një prag; pranimi i konkurencës dhe i mendimit ndryshe është prova më e vështirë.
Sot Fatmir Xhafaj dhe disa të tjerë kanë kundërshtuar masën ndëshkimore dhe përfundimi ka qenë më i kufizuar se kërkesa fillestare e raportuar, kjo dëshmon se debati mund të ndikojë te rezultati. Nuk ka arsye të mohohet kjo diferencë, por as të ngrihet një episod në certifikatë të përgjithshme demokracie.
Në raport me përjashtimin e kundërshtarëve dhe mbylljen e garës për drejtimin, historiku i Berishës jep argumente më të forta për një model autoritar të drejtimit partiak. Nga mocionistët te Salianji, shfaqet problemi i përsëritur i bashkëjetesës me njerëz që kërkojnë një drejtim tjetër. Kurse Edi Rama, në rastin e sotëm, u ndal përpara përjashtimit nga partia, ndonëse ndëshkimi politik mbeti.
