Në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë, Rusia ka riparaqitur kërkesat e saj të kahershme ndaj NATO-s. Moska kërkon që Aleanca të largojë forcat nga krahu lindor, ku përfshihen Polonia dhe shtetet baltike.
The New York Times, duke iu referuar një dokumenti të siguruar nga zyrtarë rusë, raportoi se gjatë negociatave të kësaj jave në Abu Dhabi, Rusia përsëriti kërkesat e paraqitura rreth dy muaj përpara se të niste pushtimin e Ukrainës, në fillim të vitit 2022.
Të lidhura
None found
Një nga kërkesat kryesore është që trupat e NATO-s të tërhiqen nga pozicionet ku janë vendosur pas vitit 1997, përpara zgjerimit të Aleancës drejt kufijve të Rusisë. Kjo e vendos sigurinë e Evropës në fokus të negociatave dhe tregon se Kremlini kërkon trajtimin e shqetësimeve të tij më të gjera për NATO-n dhe Ukrainën përpara një marrëveshjeje për ndalimin e luftimeve.
I datuar më 10 nëntor, dokumenti paraqet më gjerësisht qëndrimin fillestar rus në negociata. Megjithatë, dy pjesëmarrës në bisedime i thanë gazetës se përfaqësuesit e Moskës në Abu Dhabi kanë lënë të kuptohet se presidenti Vladimir Putin mund të jetë ende i gatshëm të bëjë disa lëshime.
Zyrtarët rusë përmendën gjithashtu Luftën e Ftohtë dhe Paktin e Varshavës si shembuj të mundshëm për rendin evropian pas përfundimit të luftës në Ukrainë. Sipas tyre, ndarja e Evropës në sfera ndikimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, bashkë me kanalet e komunikimit dhe marrëveshjet e asaj kohe, kishte kontribuar në uljen e rrezikut të përplasjes së drejtpërdrejtë.
Përfaqësuesit amerikanë, nga ana e tyre, u kanë bërë thirrje rusëve të mos kthehen te modelet e së kaluarës, por të kërkojnë zgjidhje të orientuara nga e ardhmja.
Dokumenti tregon po ashtu se ofertat dhe nxitjet ekonomike që Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, i kanë bërë Vladimir Putinit, nuk kanë prodhuar deri më tani lëshime konkrete nga Moska.
Këmbëngulja e Rusisë për ta futur zgjerimin e NATO-s në negociata sinjalizon se synimet e Kremlinit nuk kufizohen te territori i Ukrainës, por përfshijnë edhe riformësimin e arkitekturës së sigurisë evropiane.







