Rusia ka rikthyer në tryezën e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë kërkesat e saj të vjetra ndaj NATO-s, duke kërkuar që Aleanca të tërheqë trupat nga krahu i saj lindor, përfshirë Poloninë dhe vendet baltike. Sipas një reportazhi të The New York Times, që citon një dokument të siguruar nga zyrtarë rusë, Moska përsëriti në bisedimet e kësaj jave në Abu Dhabi një sërë kërkesash të paraqitura edhe para nisjes së pushtimit të Ukrainës, në fillim të vitit 2022.
Një nga kërkesat kryesore është tërheqja e forcave të NATO-s nga pozicionet ku janë vendosur pas vitit 1997, pra para zgjerimit të Aleancës drejt kufijve rusë. Kjo e vendos sigurinë evropiane në qendër të negociatave dhe tregon se Kremlini kërkon që shqetësimet e tij ndaj NATO-s dhe ndaj Ukrainës të trajtohen para se të arrihet një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive. Dokumenti, i datës 10 nëntor, jep një pasqyrë më të detajuar të qëndrimit fillestar të Rusisë në negociata.
Dy persona të përfshirë në bisedime i thanë gazetës se përfaqësuesit rusë në Abu Dhabi kanë lënë të kuptohet se presidenti Vladimir Putin mund të jetë i gatshëm për njëfarë fleksibiliteti. Gjatë diskutimeve, zyrtarët rusë paraqitën gjithashtu Luftën e Ftohtë dhe Paktin e Varshavës si një model të mundshëm për rendin evropian pas përfundimit të luftës në Ukrainë, duke argumentuar se ndarja e Evropës në sfera ndikimi dhe mekanizmat e asaj periudhe kishin ndihmuar në uljen e rrezikut të një konflikti të drejtpërdrejtë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit amerikanë kërkuan që rusët të mos mbështeten te modelet e së kaluarës, por të përqendrohen te zgjidhjet për të ardhmen. Dokumenti shënon gjithashtu se ofertat dhe stimujt ekonomikë të paraqitur Vladimir Putinit nga të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, nuk kanë sjellë lëshime konkrete nga Moska deri tani.
Këmbëngulja e Rusisë që të trajtohet çështja e zgjerimit të NATO-s tregon se objektivat e Kremlinit tejkalojnë territorin ukrainas dhe përfshijnë edhe rishikimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë.
