Grupi i të rinjve i bën pritë shoferit në SHBA, sulmojnë makinën dhe e filmojnë, shoferi merr përpara motorin për t’u shpëtuar

14/11/2026 20:19

Një skenë dhune është regjistruar në Nju Jork, ku një grup prej rreth 12 të rinjsh me motorë ka rrethuar një automjet dhe ka nisur ta godasë me grushte e shkelma, ndërsa shoferi ndodhej i bllokuar në semafor.

Të rinjtë, disa prej të cilëve me maska në fytyrë, kanë rrethuar një automjet të bardhë tip Honda CR-V dhe e kanë goditur vazhdimisht, ndërsa drejtuesit e automjeteve të tjera ndiqnin të shqetësuar skenën.

Në momentin që semafori u ndez jeshil, shoferi i makinës tentoi të largohej, duke kaluar sipër një motori blu që një prej të rinjve kishte vendosur përpara automjetit për t’i bllokuar rrugën.

Por situata nuk përfundoi aty, pasi grupi u vu në ndjekje të makinës, ndërsa personi që filmonte dëgjohet duke bërtitur “Hanky u godit!”.

Deri më tani nuk raportohet për arrestime, por policia e Nju Jorkut ka paralajmëruar se personat e përfshirë do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore.

“Ne e dimë kush jeni dhe shumë shpejt do të trokasim në dyert tuaja”, deklaroi ndihmësshefi i policisë në Staten Island, John Buttacavoli, gjatë një konference.

Ndërsa prokurori i Staten Island, Michael McMahon, i cilësoi të rinjtë si “terroristë adoleshentë”, duke kritikuar sjelljen e tyre ndaj drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë normalisht në rrugë.

Banorët e zonës thonë se raste të tilla me grupe të rinjsh që lëvizin në mënyrë të rrezikshme me motorë dhe mjete të motorizuara janë shtuar gjatë vitit të fundit.

Ndërkohë, deputeti i Asamblesë së Nju Jorkut, Mike Reilly, njoftoi se në janar synon të paraqesë një projektligj që do t’i bëjë prindërit përgjegjës civilisht për sjelljen e rrezikshme të fëmijëve të mitur me biçikleta elektrike, motorë dhe mjete të tjera.

Top Channel