BOTA

Zelensky zbulon propozimin e SHBA-së: Ukraina të tërhiqet nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO

20:15 - 14.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zbuluar një propozim të negociatorëve amerikanë për përfundimin e luftës me Rusinë, sipas të cilit Ukraina mund të tërhiqet nga rajoni lindor i Donbasit në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Zelensky bëri të ditur se kjo ishte hera e parë që pala amerikane kishte ngritur një mundësi të tillë gjatë negociatave. Ai theksoi se çdo marrëveshje e mundshme duhet të përfshijë garanci të forta sigurie, pa kufizime për ushtrinë ukrainase dhe fonde për rindërtimin e vendit.

Sipas presidentit ukrainas, një propozim i tillë do t’u nënshtrohej qytetarëve përmes një referendumi. Deklaratat vijnë pas takimeve të të dërguarve të Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, me presidentët Putin dhe Zelensky, në kuadër të përpjekjeve amerikane për t’i dhënë fund luftës.

Ndërkohë, Moska vijon të këmbëngulë për lëshime territoriale, kufizime të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe neutralitetin e Kievit. Kërkesa këto që Ukraina i ka kundërshtuar, duke argumentuar se do ta linin vendin të pambrojtur përballë një agresioni të ardhshëm.

Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, që përbëjnë Donbasin.

Zelensky ka paralajmëruar se negociatat mbeten jashtëzakonisht të vështira, ndërsa qëndrimet e Moskës për territorin dhe sigurinë vazhdojnë të jenë larg kërkesave të Kievit.

Çështja e anëtarësimit në NATO dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën mbeten ndër pikat kryesore të negociatave për një marrëveshje të mundshme paqeje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.