Ligji për Specialen, PDK mirëkupton shtyrjen e shqyrtimit për seancën e radhës

Në dy seancat ku ishte paraparë që të shqyrtohej, Kuvendi nuk arriti kuorumin e mjaftushëm për Ligjin për Gjykatën Specialen. Nga Partia Demokratike e Kosovës bëjnë të ditur se e rëndësishme për ta është që ligji është përfshirë në rend dite, teksa thonë po i trajtojnë me seriozitet edhe reagimet e ndërkombëtarëve.
Të enjten u vendos si pikë e fundit e rendit të ditës së seancës plenare.
Por meqë pas pauzës, deputetët u vonuan të jenë në sallë, kryekuvendarja i shtyu për të premten punimet e seancës, pjesë e së cilës qe edhe Ligji për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
E, dje pas rreth 12 orësh diskutime të pikave tjera, s’pati kourum për ligjin.
Një ditë pas, PDK-ja bën të ditur për televizionin nëse konsideron që shyrja e shqyrtimit të kësaj pike ka qenë e qellimshme.
“Nuk kemi arsye ta konsiderojmë shtyrjen të qëllimshme. Kanë qenë dy seanca të ngarkuara, me debate të gjata për dy tema tejet të rëndësishme: shëndetësinë dhe energjinë. E rëndësishme është që ligji është përfshirë në rendin e ditës dhe presim të procedohet në vazhdimin e seancës, gjatë ditëve në vijim.”
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku tha se i kanë marrë seriozisht shqetësimet e ngritura nga BE-ja.
“Kemi mirëpritur edhe gatishmërinë e partnerëve ndërkombëtarë për konsultime. Partia Demokratike e Kosovës i merr seriozisht shqetesimet e shprehura nga Bashkimi Evropian lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara. Partneriteti me BE-në dhe respektimi i obligimeve nderkombetare jane pjese e orientimit tone te palekundur shteteror. Pikerisht për këtë arsye, presim që diskutimi për ligjin të zhvillohet mbi dispozita konkrete dhe argumente juridike”, ka thënë Çitaku.
Por, avokati Ardian Bajraktari vlerëson se do të duhej të bëheshin disa ndryshime para votimit.
“Vlerësoj që nevoja apo domosdoshmëria për të bërë disa intervenime ashtu që ligji të jetë në harmoni mbi të gjitha me amandamentin përkatës kushtetues janë evidente prandaj vlerësoj që subjektet politike duhet të angazhohen në një proces të mirëfilltë konsultimi si me ekspertët ndërkombëtarë ashtu edhe me ekspertë përkatës të fushës”, ka thënë Bajraktari.
Dukagjini ka provuar gjatë ditës të marrë një qëndrim edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por zyrtarë të saj nuk kanë kthyer përgjigje./TV Dukagjini




































