Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka komentuar zhvillimet politike në vend, protestat dhe zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në muajin maj.
Kapri u shpreh në një intervistë për News24 se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kushtojnë rëndësi zhvillimeve në Shqipëri, duke theksuar se dalja e të rinjve në protesta është një zhvillim i rëndësishëm dhe se zëri i tyre duhet dëgjuar.
Ai kritikoi kryeministrin Edi Rama për qëndrimet ndaj drejtësisë dhe SPAK, si dhe për mbrojtjen që, sipas tij, u bëhet personave të akuzuar për korrupsion, duke përmendur edhe rastin e Belinda Ballukut.
“SPAK ia doli të kalojë vijën e kuqe, por i vetmi që nuk ka dhënë llogari para drejtësisë është kryeministri Rama. Dhe në këtë vend asgjë nuk do ndodhte pa marrë lejen dhe miratimin e tij. Pra është detyrim i SPAK të shkojë te zyra e Edi Ramës, të hetojë dhe të procedojë penalisht Edi Ramën”, tha mes të tjerash ai.
Duke u ndalur te zgjedhjet lokale dhe kandidatura për Tiranën, Kapri theksoi se qytetarët kërkojnë një alternativë të re politike, përtej Edi Ramës dhe Sali Berishës.
“SHBA i kushton rëndësi zhvillimeve në Shqipëri, zhvillimet e protestës, zgjedhjet e ardhshme lokale që janë në maj…SHBA ka një aleancë me shqiptarët dhe kjo është historike dhe misioni është si ta forcojmë. Ne besojmë që kjo që po ndodh në Shqipëri është zhvillim historik, dalja e rinisë në shesh është me rëndësi të dëgjojmë zërin e tyre, por duke u ndalur edhe te sjellja e Ramës që është e papranueshme, nuk mban përgjegjësi, sulmon drejtësinë, mbron të korruptuarit si rasti i Ballukut. Sulmi ndaj SPAK, por edhe duke theksuar se protesta e studentëve është kërkesë për një politikë përfaqësuese një Shqipëri europiane. Ne do t’u ofrojmë njerëzve atë që ata kërkojnë nga sheshi. Njerëzit duan dikë kundër Ramës. Duhet një zgjidhje tjetër politike përtej Ramës dhe Berishës. Kjo është mënyra e vetme për të mposhtur Ramën, nuk mund t’i imponohesh sheshin me tryeza e dialog për pazare politike. Ndryshimi do të vijë përmes votës. Nesë do kemi mundësinë që t’i ofrojmë Tiranës një kandidat që ka mbështetjen e sheshin të jeni të bindur që Tirana do fitojë”. Fokusi duhet të jetë te dorëheqja e Ramës. Mund të ketë zgjedhje edhe më herët, zgjedhje të përgjithshme… Sa kohë që Edi Rama nuk po qeveris sot, duhet të këmbëngulim që ai të largohet”, tha ai.