Sipas Reuters, Merz ka shprehur shqetësimin se takimi mund të përsërisë skenarin e samitit Trump-Putin në Alaskë. Për këtë arsye, ai i bëri thirrje Uashingtonit që çdo hap që lidhet me luftën në Ukrainë të koordinohet me Europën dhe Kievin.
“Disa këtu në Dublin kanë frikë se mund të përsëritet skenari i Alaskës. Prandaj, dua t’ia përcjell shumë qartë mesazhin tonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës: ju lutemi, pa surpriza. Vazhdoni të veproni në kuadër të ekipit të Europës dhe ekipit të Ukrainës”, deklaroi Merz.
Kancelari gjerman theksoi se në negociatat për paqen duhet të përfshihen edhe përfaqësuesit europianë. Sipas tij, një nga çështjet kryesore duhet të jetë mënyra se si do të garantohet siguria e Ukrainës pas përfundimit të luftës.
Merz kundërshtoi gjithashtu kërkesën e Moskës që arkitektura e sigurisë europiane të vendoset në qendër të negociatave, duke argumentuar se një kuadër i tillë ekziston tashmë përmes NATO-s.
Ndërkohë, kancelari gjerman po kërkon mbështetjen e vendeve të Bashkimit Europian për vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës, në kuadër të diskutimeve për buxhetin afatgjatë të unionit.
Takimi i pritshëm mes Trump dhe Putin, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti kinez Xi Jinping, zhvillohet në një moment kur lufta në Ukrainë dhe garancitë e ardhshme të sigurisë mbeten në qendër të diskutimeve diplomatike.
