Kompania hapësinore SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, ka shënuar një arritje të rëndësishme teknologjike, pasi pjesa e sipërme e raketës Starship është kthyer nga orbita dhe është kapur në mënyrë të kontrolluar nga krahët gjigantë të kullës së njohur si “Mechazilla”.

Sipas raportimit të Sky News, manovra përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet e SpaceX për të zhvilluar një sistem raketor plotësisht të ripërdorshëm.


Ndryshe nga mënyrat tradicionale të uljes së raketave, sistemi “Mechazilla” përdor dy krahë të mëdhenj mekanikë, të montuar në kullën e lëshimit, për të kapur raketën gjatë zbritjes së saj.

Kjo teknologji synon të shmangë nevojën për pajisje të rënda uljeje dhe të mundësojë përgatitjen më të shpejtë të raketave për fluturimet e ardhshme.



Në fluturimin e 15-të testues, të nisur më 13 nëntor 2026 nga baza Starbase në Teksas, Starship realizoi 14 rrotullime rreth Tokës, në një lartësi prej rreth 265 kilometrash, përpara se të rikthehej në atmosferë.

Gjatë misionit, anija hapësinore vendosi në orbitë edhe 26 satelitë të gjeneratës së re Starlink V3, ndërsa SpaceX njoftoi se sistemet kryesore, përfshirë mburojën termike, kishin funksionuar sipas pritshmërive.

Megjithatë, misioni nuk ishte plotësisht i suksesshëm.

SpaceX kishte planifikuar kapjen e të dy pjesëve të raketës, por përforcuesi i shkallës së parë, Super Heavy, pati probleme gjatë kthimit dhe përfundoi duke u shkatërruar mbi Gjirin e Meksikës.

Sipas kompanisë, motorët e përforcuesit u fikën më herët sesa ishte planifikuar, duke bërë që sistemi i drejtimit të anulonte përpjekjen për kapje.

Shkaqet e incidentit po hetohen. /Telegrafi/