Një varg shkeljesh i ka konstatuar Ministria për Familje në inspektimin e jashtëzakonshëm për Qendrën për Punë Sociale në Pejë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, para se ajo të vritej. E këto shkelje, Qendra i ka quajtur si “çështje që kërkojnë përmirësim”
Mosrespektim të afatit të vënë nga gjykata, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, e mosveprim sipas detyrës zyrtare, janë disa nga shkeljet që janë konstatuar në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, para se ajo të vritej.
Shkeljet janë evidentuar në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Ministria për Familje.
Sipas raportit, QPS-ja nuk e kishte dorëzuar brenda afatit shtatëditor raportin e kërkuar nga Gjykata, ndërsa menaxherja e rastit kishte munguar në seancën gjyqësore të 5 tetorit. Në raport janë listuar edhe gjetje të tjera.
“Mosrealizimin e monitorimit që kërkohej sipas detyrës zyrtare pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të datës 07.09.2026, pavarësisht se QPS-ja kishte përgjegjësi për të vepruar edhe pa detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata. Moszbatimin e procedurave standarde të menaxhimit të rastit: mosplotësimin e formularit për kontaktet dhe punën në rast, si dhe mos-hartimin e Planit Individual të Shërbimeve. Mungesën e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale mbi punën dhe përmbushjen e detyrave të menaxheres së rastit”, thuhet në raport.
Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K..
Për shkeljet që Ministria i gjeti në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, ky institucion i quajti si “çështje që kërkojnë përmirësim”.
Edhe
Një javë nga vrasja në duart e shtetit
Në një komunikatë, kjo qendër ka këmbëngulur se ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në rastin e Arlinda Zekajt.
“Gjatë menaxhimit të rastit janë realizuar vizita në terren në vendbanimet e palëve, vlerësime të gjendjes socio-ekonomike, bashkëbisedime me prindërit dhe familjarët, si dhe mbledhja e informacioneve relevante për rrethanat familjare dhe mirëqenien e fëmijës”, thuhet në komunikatën e Qendra për Punë Sociale në Pejë.
Arlinda Zekaj është vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Syla. Krimi ndaj saj është kryer pak minuta pas kthimit nga policia ku e denoncoi bashkëshortin për shkelje të urdhrit mbrojtës, dhe tri ditë pasi iu ankua kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë se mund të vritej, nëse institucionet nuk veprojnë.
-
Komuna e Pejës kundërshton Gërvallen lidhur me pretendimet për mangësitë në rastin e Zekajt
-
Gjetjet e IPK-së për 11 policët e suspenduar: S’ishte ekzekutuar urdhri mbrojtës për Arlinda Zekajn
-
Gashi paralajmëron masa “nëse konstatohet neglizhencë nga zyrtarët përgjegjës” në rastin e vrasjes në Pejë
-
Para se të vritej Arlinda Zekaj kërkoi mbrojtje nga shteti