Edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës nis këtë të diel në orën 08:00, me pjesëmarrjen e rreth 5 800 garuesve, duke e kthyer kryeqytetin në një arenë të madhe sportive.
Risia e këtij viti është përfshirja e garës prej 5 kilometrash, e cila synon të krijojë më shumë mundësi për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe të përfshijë një numër më të madh vrapuesish në këtë aktivitet.
Për organizimin e maratonës janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës, të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
Rrugët që do të bllokohen deri në orën 16:00
Zhvillimi i maratonës do të sjellë kufizime të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve. Deri në orën 16:00, një pjesë e madhe e akseve kryesore të kryeqytetit do të jenë të bllokuara.
Pa qarkullim do të jenë:
- E gjithë Unaza e Vogël;
- Bulevardi “Zogu i Parë” dhe Bulevardi i Ri;
- Segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”;
- Rruga e Kavajës dhe Rruga e Durrësit;
- Rruga “Myslym Shyri”;
- Rrugët e zonës së ish-Bllokut;
- Kryqëzimet që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.
Për shkak të zhvillimit të garës, edhe disa linja të transportit publik urban do të devijojnë itinerarin e tyre gjatë ditës.
Drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve u këshillohet të marrin parasysh kufizimet në qarkullim dhe të planifikojnë lëvizjet përmes rrugëve alternative.