Vendi ynë do të përfshihet këtë të diel nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me kthjellime në orët e para të ditës dhe shtim të vranësirave pas mesditës.
Sipas parashikimit, vranësirat do të jenë mesatare deri të dendura, ndërsa reshjet e shiut me intensitet të ulët pritet të nisin pas mesditës, fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe më pas në pjesën tjetër të territorit.
Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, në zonat veriore, veriperëndimore, perëndimore dhe jugperëndimore, reshjet pritet të bëhen mesatare, të shoqëruara herë pas here me shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkesa elektrike. Në disa zona mund të ketë edhe reshje të rrëmbyeshme për periudha të shkurtra kohore.
Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe jugperëndimi, me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s. Herë pas here, ajo mund të arrijë deri në 15 m/s, kryesisht përgjatë bregdetit dhe në zonat luginore.
Në det pritet valëzim me forcë 2-4 ballë.












