Porti i New Orleans-it po padit pronarët dhe menaxherët e anijes cisternë qw u përplas të premten me një anije turistike të ankoruar.

Sipas padisë, porti pretendon se cisterna është përgjegjëse për përplasjen, si pasojë e së cilës më shumë se 100 pasagjerë u shpëtuan nga lumi Misisipi dhe u shkaktuan dëme me vlerë mbi 1 milion dollarë.

Nga përplasja, 32 persona që ndodheshin në anijen turistike u dërguan në spital me lëndime të lehta, por askush nuk rezultoi i zhdukur. Autoritetet e cilësuan ngjarjen si një "mrekulli në Misisipi".

Shkaku i saktë i aksidentit mbetet ende nën hetim, por kapitenia Melanie Burnham e Rojës Bregdetare të SHBA-ve deklaroi: "Duket se ka pasur një lloj humbjeje të kontrollit të drejtimit."

Anija turistike American Heritage, përfundoi e anuar në njërën anë dhe pjesërisht e zhytur në lumin Misisipi, pasi u godit nga anija transportuese e mallrave Atlantic Asphalt, të premten pasdite.

Në dokumentet gjyqësore thuhet gjithashtu se terminali portual "u dëmtua ndjeshëm" nga incidenti.

Anija cisternë M/V Atlantic Asphalt, pronari i saj Nave Shipping SA dhe kompania e saj menaxhuese Thome Ship Management Pte Ltd janë të gjithë të përfshirë si të paditur në padinë e ngritur të premten në gjykatën federale të Distriktit Lindor të Luizianës.

Autoritetet janë ende duke hetuar përmasat e plota të dëmeve të shkaktuara nga përplasja, si dhe shkakun e saj, por në padi thuhet se porti kërkon kompensim financiar për të mbuluar shpenzimet e pastrimit, inspektimeve, riparimeve dhe shpenzime të tjera.

Në padi kërkohet që cisterna të sekuestrohet dhe të shitet për të paguar dëmet. Gjithashtu, pretendohet se përplasja "ndodhi si rezultat i neglizhencës, neglizhencës së rëndë, fajit ose pakujdesisë" së anijes dhe kompanive që e operojnë atë.

Në padi pretendohet se cisterna dhe kompanitë përgjegjëse nuk arritën "të përdornin të gjitha mjetet në dispozicion për të shmangur rrezikun" e përplasjes me anijen turistike.

Nave Shipping është një filial i Korporatës Shtetërore Kineze të Ndërtimit të Anijeve (China State Shipbuilding Corporation).

Edhe Thome Ship Management është kontaktuar për një reagim. Në një deklaratë të publikuar të shtunën, kompania bëri të ditur se ekuipazhi i anijes Atlantic Asphalt ishte i sigurt dhe se të gjithë anëtarët e tij ishin të identifikuar.

"OSM Thome po bashkëpunon plotësisht me autoritetet lokale gjatë kryerjes së hetimeve të nevojshme", thuhej në deklaratë.

Sipas autoritetit portual, në momentin e përplasjes, në bordin e anijes American Heritage ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit.

Operatorët e rimorkiatorëve, policia dhe ekipet e tjera të shpëtimit nxituan për të dhënë ndihmën e tyre, ndërsa autoritetet pezulluan përkohësisht trafikun në lumin Misisipi gjatë operacionit të shpëtimit.

Anija American Heritage ishte drejt përfundimit të një lundrimi turistik tetëditor, gjatë të cilit kishte ndaluar në disa destinacione në Luiziana dhe Misisipi, përgjatë këtij lumi.