Një shpërthim i vetëm bërthamor në orbitën e Tokës mund të shkaktojë pasoja globale, duke nxjerrë jashtë funksionit pothuajse të gjithë satelitët dhe duke paralizuar për vite me radhë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës teknologjike nga e cila varet jeta moderne. Ky është përfundimi i një simulimi të realizuar nga studiues të Universitetit të Uisconsin-Madison dhe Universitetit të Princetonit.
Sipas studimit, një shpërthim në orbitën e ulët të Tokës mund të çaktivizojë deri në 99.4% të satelitëve brenda vetëm 15 ditësh. Pasojat do të preknin një sërë shërbimesh jetike, përfshirë telekomunikacionin, internetin satelitor, sistemet e navigimit, vëzhgimin e Tokës dhe parashikimin e motit.
Për të analizuar efektet e mundshme, studiuesit ndërtuan një skenar hipotetik ku një bombë bërthamore me fuqi 1 megaton shpërthen në një lartësi prej 500 kilometrash mbi Oqeanin Atlantik, pranë zonës së njohur si Anomalia e Atlantikut Jugor. Kjo zonë karakterizohet nga një fushë magnetike më e dobët, çka do të favorizonte bllokimin e grimcave radioaktive në fushën magnetike të Tokës. Si rezultat, do të krijohej një brez artificial rrezatimi, i aftë të dëmtonte satelitët edhe shumë kohë pas shpërthimit.
Simulimi tregon se dëmet do të përshkallëzoheshin me shpejtësi. Brenda 24 orëve të para do të dilnin jashtë funksionit rreth 25% e satelitëve, ndërsa pas tri ditësh kjo shifër do të arrinte në 78%. Brenda një jave, 98% e tyre do të ishin të padobishëm, përpara se përqindja të shkonte në 99.4% pas 15 ditësh.
Rreziku nuk do të zhdukej as në rastin e përdorimit të një arme me fuqi shumë më të vogël. Sipas studiuesve, edhe një shpërthim prej 100 kilotonësh mund të çonte në neutralizimin e 99% të satelitëve, megjithëse procesi do të zgjaste rreth një vit.
Përveç dëmtimit të satelitëve, një tjetër pasojë serioze do të ishte shtimi i mbeturinave hapësinore. Humbja e kontrollit mbi pajisjet dhe pamundësia për të kryer manovrat e nevojshme do të rrisnin rrezikun e përplasjeve në orbitë. Studiuesit parashikojnë rreth 20 përplasje gjatë dy viteve të para, ndërsa pas dhjetë vitesh numri i copëzave të reja të mbeturinave që do të qarkullonin rreth Tokës mund të arrinte në 3,900.
Kjo do ta vështirësonte edhe zëvendësimin e satelitëve të dëmtuar. Pajisjet e reja që do të lëshoheshin në hapësirë do të përballeshin me të njëjtat kushte të rrezikshme, pasi rrezatimi dhe mbeturinat do të vazhdonin të qëndronin në orbitë. Kështu, efektet e një shpërthimi të vetëm mund të pengonin funksionimin normal të infrastrukturës hapësinore për shumë vite.
Pasojat do të ndiheshin edhe në jetën e përditshme në Tokë. Më shumë se 13 mijë satelitë në orbitën e ulët përdoren për shërbime që përfshijnë komunikimin dhe internetin në zonat e largëta, monitorimin e zjarreve dhe përmbytjeve, ndjekjen e ndryshimeve klimatike dhe parashikimin e kushteve atmosferike. Ata kanë gjithashtu një rol të rëndësishëm në komunikimet ushtarake, mbikëqyrjen dhe mbledhjen e informacionit nga qeveritë.
Shpërthimet bërthamore në lartësi të mëdha nuk janë një skenar pa precedent. Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kryen gjithsej 18 prova bërthamore në lartësi të mëdha, disa prej tyre edhe në hapësirë.
Prova më e fuqishme ishte ajo amerikane e njohur si “Starfish Prime”, e zhvilluar më 9 korrik 1962. Një kokë bërthamore me fuqi 1.4 megaton shpërtheu në një lartësi prej rreth 400 kilometrash mbi Oqeanin Paqësor. Ngjarja shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike dhe të komunikimeve telefonike në Havai, ndërsa krijoi breza artificialë rrezatimi që dëmtuan disa satelitë. Efektet e shpërthimit vazhduan të ndiheshin për më shumë se pesë vjet.
Një vit më vonë, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan Traktatin për Ndalimin e Pjesshëm të Testeve Bërthamore, i cili ndalonte provat bërthamore në atmosferë, në hapësirën e jashtme dhe nën ujë.
Megjithatë, shqetësimet për përdorimin e armëve bërthamore në hapësirë janë rikthyer vitet e fundit. Në vitin 2024, raportime amerikane ngritën dyshime se Rusia po zhvillonte një kapacitet bërthamor kundër satelitëve. Moska i ka mohuar planet për vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë, por ka vënë veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila riafirmonte ndalimin e vendosjes së armëve bërthamore në orbitë.
Studiuesit theksojnë se një shpërthim i ngjashëm me atë të vitit 1962 do të kishte sot pasoja shumë më të rënda. Ndryshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, numri i satelitëve është rritur ndjeshëm dhe shoqëria moderne mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia hapësinore. Për këtë arsye, dëmtimi i infrastrukturës orbitale nuk do të kufizohej vetëm në hapësirë, por do të prekte drejtpërdrejt komunikimin, sigurinë dhe funksionimin e shumë shërbimeve në Tokë.

