Autoritetet zvicerane dhe përfaqësuesit e industrisë së aviacionit kanë diskutuar masa të reja për përshpejtimin e kontrolleve kufitare në aeroportet e vendit, pas pritjeve më të gjata që janë shfaqur me zbatimin e sistemit të ri evropian të regjistrimit të udhëtarëve.

Në takimin e mbajtur më 13 nëntor 2026, në Bernë, morën pjesë ministri zviceran i Drejtësisë, Beat Jans, përfaqësues të autoriteteve të kontrollit kufitar, kompanive ajrore dhe aeroporteve. Qëllimi ishte shqyrtimi i mundësive për përmirësimin e procedurave gjatë hyrjes së udhëtarëve në Zvicër.


Sipas Qeverisë Federale, vështirësitë janë shtuar pas vendosjes së sistemit evropian Entry/Exit System (EES), i cili është zbatuar në Zvicër që nga tetori i vitit 2025. Ky sistem regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jashtë Bashkimit Evropian dhe zonës Schengen, duke përfshirë të dhënat biometrike, fotografinë e fytyrës dhe shenjat e gishtërinjve.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet zvicerane, gjatë vitit të parë të funksionimit të sistemit EES në gjithë zonën Schengen janë regjistruar mbi 225 milionë hyrje dhe dalje të rreth 90 milionë udhëtarëve nga vendet e treta.

Në më shumë se 78 mijë raste, udhëtarëve u është refuzuar hyrja në zonën Schengen, transmeton Telegrafi.

Njëra nga zgjidhjet që po shqyrtohet është krijimi i një programi të quajtur “National Facilitating Program” (NFP), i cili do t'u mundësonte disa udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së dhe Schengenit që t'i nënshtrohen vullnetarisht një procedure paraprake regjistrimi dhe verifikimi.

Në këtë mënyrë, gjatë kalimit të kufirit mund të shmanget intervistimi shtesë dhe kontrollet të kryhen në masë më të madhe përmes portave automatike elektronike, të njohura si E-Gates.

Autoritetet vlerësojnë se kjo mund të ndihmojë në shkurtimin e kohës së pritjes, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të madh udhëtarësh. Megjithatë, programi është ende në fazën e diskutimit dhe nuk është marrë vendim për zbatimin e tij.

Qeveria zvicerane thekson se përmirësimi i procedurave duhet të bëhet duke ruajtur sigurinë kufitare dhe funksionimin e sistemit evropian të kontrollit të hyrje-daljeve./Telegrafi/