Humbja e një prindi është një dhimbje me të cilën mëson të bashkëjetosh, por që nuk largohet kurrë plotësisht. Këtë ndjesi ka ndarë edhe moderatorja Fjoralba Ponari, e cila ka folur mes lotësh për mungesën e nënës së saj në emisionin “Goca dhe Gra”.
Gjatë bisedës, Ponari e krahasoi dhimbjen e humbjes me një gur që mbetet në zemër, duke shpjeguar se secili zgjedh mënyrën e vet për të jetuar me të. Ajo tregoi gjithashtu se për gati një vit nuk e kishte parë të ëmën në ëndërr, deri në një natë kur, siç e përshkroi vetë, pati mundësinë të çmallej me të.
“Humbja e çfarëdo lloj njeriu të afërt është e rëndë dhe lë gjurmë, aq më shumë humbja e nënës. E di si e shoh unë? E shoh si një gur në zemër, që disa njerëz e marrin për poshtë dhe disa njerëz e hapin zemrën dhe bashkëjetojnë me të.
Për thuajse një vit nuk e kam parë as edhe një natë në ëndërr. Pastaj pata një moment që më vizitoi, u çmallëm me të. Ndoshta mora edhe ato fjalët që zemra ime lëngonte t’i dëgjonte prej saj. Do të doja të më vizitonte më shpesh. Ndoshta është një fantazi e mendjes sime, ndoshta vjen vërtet e më viziton”, u shpreh moderatorja.

